“Rama jep dorëheqjen, arrestoni Ballukun” – Mbyllet protesta e 82-të, qytetarët: “Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”

Shqipëria

“Rama jep dorëheqjen, arrestoni Ballukun” – Mbyllet protesta e 82-të, qytetarët: “Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”

Më: 20 gusht 2026 Në ora: 08:21 Përditësuar në ora: 22:16 më 20.08.2026
Marshimi i qytetarëve në rrugët e Tiranës

“Drejtësia të veprojë edhe kur telefoni bie nga lart”- Eksperti i IT, Gent Progni tregon “formulën” si ndryshon Shqipëria brenda një viti

Eksperti i IT, Gent Progni deklaroi se ndryshimi i Shqipërisë nuk kërkon dekada, por vullnet politik, rregull dhe përgjegjësi institucionale.

Në fjalën e tij në protestën e 82 qytetare ai tregoi edhe “formulën” sesi vendi ynë mund të ndryshojë brenda 365 ditësh.

Ai solli si shembull luftën kundër korrupsionit, duke propozuar që kontratat dhe tenderët publikë të jenë të kontrollueshëm dhe pagesat e mëdha të shtetit të gjurmueshme.

“Na kanë thënë se duhen dekada për të rregulluar shtetin, na kanë thënë se kështu jemi ne, se shqiptarët nuk bëhen. Unë nuk e besoj këtë. Unë besoj se Shqipëria mund të ndryshojë brenda një viti. Nuk po flas për mrekulli, por për 365 ditë punë, rregull dhe përgjegjësi. Shikoni çfarë ndodh kur një shtet vendos një problem në qendër dhe thotë: Ky problem do zgjidhet dhe pikë. Ne këtë mund ta bëjmë me korrupsionin. Imagjinoni vetëm vitin e parë. Muajin e parë, cdo kontratë hapet, cdo tender bnëhet i kontrollueshëm, cdo pagesë e madhe e shtetit bëhet e gjurmueshme.

Të dhëna të hapura për të gjithë. Muaji i tretë cdo institucion publikon cfarë ka premtuar, sa para ka marrë dhe cfarë ka realizuar. Muaji i gjashtë, cdo zyrtar që firmos duhet ta dijë se firma e tij nuk humbet në një sirtar. Ajo ka emër, datë dhe përgjegjësi. Brenda një viti mund të kemi një Shqipëri ku qytetari hap telefonin dhe kontrollon shtetin e vet. Njerëzit për ta bërë ekzistojnë, paratë ekzistojnë, ajo që ka munguar është vullneti. Këtu është mashtrimi më i madh që na kanë bërë. Na kanë bindur se problemi është Shqipëria. Problemi nuk është Shqipëria, por mënyra si administrohet Shqipëria”, tha eksperti.

Sipas tij na duhet një sistem i fortë që të mos ketë rëndësi se kush është kryeministër dhe se drejtësia të veprojë edhe kur bie telefoni nga lart.

“Nuk kemi nevojë për një njeri të fortë që të na shpëtojë, na duhet një sistemi i fortë që të mos ketë rëndësi kush është kryeministër. Një sistem ku ligji funksionin edhe kur pushtetari nuk do, ku tenderi kontrollohet edhe kur ministri nuk do, kur informacioni publikohet edhe kur drejtori nuk do, kur drejtësia vepron edhe kur telefoni bie nga lart. Ky është shteti i fortë dhe jo shteti që tremb qytetarët. Kjo protestë nuk ka nevojë të prodhojë një udhëheqës të ri, por një standard të ri. Që kushdo që vjen nesër që koha me vota më lini 4 vite mbaroi, koha pa llogaridhënie mbaroi. Shqipëria mund të bëhet brenda 24 orësh dhe pas 365 ditësh ndryshimi mund të jetë shumë i madh”, deklaroi Progni.

“Patronazhistët hedhin valle me propagandë”- Aktivisti Kola: Rama kërkon të zhbëjë protestën!

Aktivisti Arben Kola në protestën e 82 qytetare bëri thirrje për bashkim dhe vijimin e protestës, duke akuzuar qeverinë se po përpiqet ta zhbëjë lëvizjen qytetare.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama, të cilin e quajti “Ramoviç”, se do të tentojë me çdo mjet të dobësojë protestën.

“Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të mos shpërqendrohemi nga tentativa të ndryshme për tu përçarë. Ramoviçi do tentojë me çdo mjet për ta zhbërë këtë protestë, por ky është vullneti i shqiptarëve për të shpëtuar këtë komb.

Duhet një solidarizim i madh me Pukën, Fushë Arrëzin e Mirditën që po digjen, ndërsa patronazhistët hedhin valle me propagandën online kundër protestës më të bukur në botë. Qeveria së bashku me Blendi Gonxhen vazhdon me propagandën në vend që ti shkojë në ndihmë këtyre banorëve”, tha Kola.

Kola kritikoi edhe situatën e Policisë së Shtetit, duke deklaruar se efektivët janë të detyruar të kryejnë edhe punë të dyta për shkak të pagave të ulëta. Ai i  bëri thirrje që në shtator ti bashkohen protestës për të shpëtuar Shqipërinë.

“E keni vënë re sesi polici si rezultat i rrogave qesharake është i detyruar të bëjë dy punë, një në shtet dhe një në disko, edhe me mafien edhe kundër mafies. Kjo nuk shkon.Policia të japë dorëheqjen në shtator që ti mundësojë shqiptarëve revolucionin paqësor që Rama të zhduket njëherë e mirë. Kjo protestë është edhe per policët e ndershëm. Policet e ndershëm të japin dorëheqjen dhe të bashkohen me popullin”, deklaroi aktivisti Kola.

Aktivistja Vatnikaj shpalos kërkesat: Shqipëria të mos qeveriset nga dy individë, njëherë kryeministër e njëherë president

Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka përsëritur kërkesat e protestuesve, duke e vendosur në krye të tyre dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Vatnikaj tha se protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, e cila, sipas saj, duhet të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

“Përsërisim kërkesat që na kanë nxjerrë në këtë shesh. Kërkojmë dorëheqjen e Ramës, së dyti kërkojmë krijimin e një qeveri tranzitore 12 mujore që do ta cojë vendin në zgjedhje të lira dhe demokratike, pa ndikimin e mafies e të krimit dhe pa patronazhistë. Së treti kërkojmë anulimin e të gjitha ligjeve që e ndajnë Shqipërinë copa copa për ta shitur, anulimin e Paktës së Maleve, anulimin e ligjit për Investimet Strategjike dhe atë për zonat e mbrojtura”, tha aktivistja.

Ajo kërkoi gjithashtu ndryshime në mënyrën e funksionimit të sistemit politik, duke propozuar kufizimin e mandatit të çdo kryeministri në dy mandate gjatë gjithë karrierës së tij politike.

“Së katërti kërkojmë që Shqipërisë ti vihet nderi në vend, që Shqipëria të mos qeveriset nga dy individë, që herë janë President, herë kryeministër e herë ministër. Kërkojmë që cdo kryeministër të jetë i zgjedhshëm vetëm për dy mandate gjatë gjithë jetës së tij politike. Së fundi kërkojmë që Revolucioni i Vërtetë të ndodhë, kërkojmë krijimin e një kontrate të re mes shoqërisë shqiptare dhe shtetit, ku të jetë qeveria që i shërben qytetarit dhe jo qytetari Shqipërisë”, deklaroi Vatnikaj.

“Nga sheshi na largon vetëm dorëheqja e Ramës”- Dita e 82 e protestës, aktivisti: Pa u larguar kryeministri, s’ka negociata për asnjë kërkesë tjetër

Në ditën e 82-të të protestës qytetare, një prej aktivistëve ka deklaruar se kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e qeverisë dhe e kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, gjatë 82 ditëve të protestave janë paraqitur dhjetëra kërkesa, por protestuesit nuk do të negociojnë për çështje të tjera pa u realizuar fillimisht dorëheqja e qeverisë.

Ai renditi disa prej kërkesave të tjera të protestuesve, mes tyre anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, shfuqizimin e “paketës së maleve”, ndryshimin e ligjit për investimet strategjike, si dhe ndryshimin e sistemit.

“Qëllimi i pari dhe kryesori është dorëheqja e qeverisë dhe kreut të saj Edi Ramës. Për 82 ditë me radhë janë artikuluar me dhjetëra kërkesa, por kërkesa kryesore nga e cila ne nuk lëvizim për asgjë është dorëheqja e qeverisë. Ne kërkojmë anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, kërkojmë shfuqizimin e paketës së maleve, ligjin për investimet strategjike, por kërkojmë edhe ndryshimin e sistemit. Por pa u dorëhequr Edi Rama ne nuk negociojmë asnjë kërkesë tjetër. Fillimi i realizimit të cdo kërkese që kemi është dorëheqja e Ramës. Cdo kërkesë do arrijë të plotësohet në momentin që jep dorëhqjen Edi Rama për ti hapur rrugën një qeverie tranzitore me mandat 12 mujor që do bëjë të mundur ndryshimet ligjore dhe kushtetuese”, tha një aktivist, i cili theksoi se “nga sheshi nga largon vetem dorëheqja e Rames”.

“Arrestoni Ramën dhe Ballukun”- Marshimi i qytetarëve drejt Kryeministrisë, thirrjet masive: Protestën e shqiptarëve nuk e ndalni dot

Gjatë protestës së 82-të qytetare në Tiranë, protestuesit kanë marshuar nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, duke shoqëruar tubimin me thirrje kundër qeverisë dhe figurave politike.

Protestuesit kanë përcjellë mesazhe kundër qeverisjes aktuale, ndërsa kërkesat për arrestime kanë qenë në fokus të protestës.

Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje si: “Rama n’burg, Berisha n’burg”, “Shikoni, dëgjoni, Bulevardi plot, protestën e shqiptarëve nuk e ndalni dot”, “Arrestoni Ramën”, “Arresto Ballukun” dhe “Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”.

Marshimi ka vijuar në drejtim të Kryeministrisë, ku protestuesit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë dhe kanë kërkuar përgjegjësi për figurat politike.

“Korrupsioni ka shkatërruar gjithçka”- Dita e 82 e protestës, thirrja e profesor Lush Susajt: Dilni mbroni pasurinë e gjyshërve tuaj! Shteti ka degraduar

Sot zhvillohet protesta e 82-të, ku qytetaret kërkojnë largimin dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në protestë ka folur edhe profesori Lush Susaj, i cili e ka përqendruar fjalën e tij te akuzat për korrupsion dhe pasojat që ai ka sjellë në arsim, mjedis dhe çështjen e pronësisë.

Susaj u bëri thirrje qytetarëve të angazhohen për mbrojtjen e pasurive natyrore dhe pronave, duke akuzuar qeverinë se po favorizon ndërtime në zonat pyjore.

“Korrupsioni ka shkatërruar gjithçka, korrupsioni ka shkatërruar shkolla, universitetet, ka shkatërruar pyjet, ka shkatërruar  pronësinë. Shqiptarit këtu i thonë që je në vendin tënd, por realisht shqiptari nuk ndihet pronar i tokës së vet. Kjo është kërdia që ka ndodhur. Pyjet ruhen vetëm nëse populli ndihet pronar i tyre. Unë i bëj thirrje popullit të dalin të mbrojnë pasurinë e gjyshërve, mos prisni qeverinë. Kjo qeveri tenton ti djegë, kërkon të futë ndërtime”, tha profesor Susaj, i cili theksoi se “në emër të socialistëve të Shqipërisë, po bëhet kjo e keqe”.

Revolta qytetare hyn sot në ditën e 82-të/ Protestuesit sërish para Kryeministrisë, paralajmërojnë shtator të nxehtë: Rama jep dorëheqjen!

Protestuesit do të rikthehen sot për të 82-ën ditë radhazi në rrugët e Tiranës, duke vijuar tubimet kundër qeverisë dhe klasës politike.

Edhe këtë të enjte qytetarët pritet të mblidhen në qendër të kryeqytetit dhe të vijojnë protestën para godinës së Kryeministrisë.

Një ditë më parë, në protestën e 81-të, qytetarët u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.

“Rama në burg, Berisha në burg”, “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Poshtë patronazhistët” dhe “Shqipëria kërkon revolucion” ishin disa prej thirrjeve të dëgjuara gjatë tubimit.

Një zhvillim i bërë publik në protestën e 81-të ishte njoftimi se grupi koordinator u është drejtuar me një letër Parlamentit Europian dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Sipas protestuesve, kërkesa synon që tubimet dhe mënyra se si autoritetet reagojnë ndaj tyre të jenë nën vëzhgimin e institucioneve ndërkombëtare, me qëllim shmangien e dhunës policore, arrestimeve arbitrare apo formave të tjera të presionit.

Ndërkohë, protestuesit po paralajmërojnë një tjetër fazë të mobilizimit me përfundimin e sezonit veror.

Një prej aktivistëve deklaroi se në shtator qytetarët pritet të rikthehen më fuqishëm në protestë, ndërsa nuk përjashtoi kalimin drejt mosbindjes civile nëse qeveria, sipas tij, vazhdon të mos reflektojë.

“Në ditët në vazhdim, me shtatorin kur shumë rikthehen në Tiranë dhe me skandalet që qeveria na nxjerr në shesh, shqiptarët do të rikthehen fuqimisht. Besoj se do të shkojmë drejt mosbindjes civile për arsye të mosreflektimit të qeverisë”, deklaroi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat