Problemet në sistemin e kontrollit të trafikut ajror në Britaninë e Madhe kanë sjellë pasoja edhe për udhëtarët që fluturojnë mes Shqipërisë dhe Britanisë.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, të paktën 7 fluturime që lidhin Tiranën me Londrën dhe Mançesterin janë anuluar ose kanë pësuar vonesa të konsiderueshme. Tre prej tyre janë anuluar, ndërsa katër të tjera janë shtyrë me disa orë.
Problemet kanë prekur fluturimet në të dyja drejtimet. Nga Britania drejt Tiranës është anuluar fluturimi British Airways BA378 nga Heathrow, i cili parashikohej të mbërrinte në orën 23:05. Është anuluar gjithashtu fluturimi Ryanair UK RK8292 nga Mançesteri, me mbërritje të planifikuar në 21:30.
Ndërkohë, fluturimi i Wizz Air UK nga Londra Luton drejt Tiranës, i parashikuar të mbërrinte në orën 18:35, është shtyrë me më shumë se katër orë, për pas mesnate.
Vonesa dhe anulime janë regjistruar edhe në nisjet nga Rinasi. Fluturimi Wizz Air UK W95005 drejt Londrës Luton, i planifikuar për në 19:10, është shtyrë për në orën 01:00. Fluturimi W95006, i parashikuar për në 20:00, është zhvendosur për në 00:30.
Është anuluar gjithashtu fluturimi Ryanair UK RK8293 drejt Mançesterit, ndërsa fluturimi Wizz Air UK W5460 drejt Londrës Luton, i planifikuar për në 00:30, është shtyrë për në 01:40.
Bazuar në kapacitetin e avionëve që operojnë zakonisht në këto linja, rreth 1.500 pasagjerë mund të jenë prekur, nëse fluturimet kanë qenë pranë kapacitetit të plotë.
Shkak për problemet u bë një defekt teknik në sistemin e National Air Traffic Services (NATS), që menaxhon trafikun ajror në Britaninë e Madhe. Problemi solli anulimin e qindra fluturimeve në aeroportet britanike.
NATS njoftoi më pas se defekti ishte zgjidhur dhe sistemi kishte nisur të rikthehej gradualisht në funksion. Megjithatë, pasojat në oraret e fluturimeve mund të vijojnë, ndaj udhëtarëve u rekomandohet të verifikojnë statusin e fluturimit pranë kompanisë ajrore përpara nisjes drejt aeroportit.