“Dje Ergysi, sot Ron Yeffet”, Tabaku: Një grup individësh kanë kapur shtetin me bekimin e Ramës

Shqipëria

“Dje Ergysi, sot Ron Yeffet”, Tabaku: Një grup individësh kanë kapur shtetin me bekimin e Ramës

Më: 9 shtator 2026 Në ora: 16:56
Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama duke deklaruar se në vend është ngritur një sistem që administron tenderët, pronat dhe asetet publike në favor të një pakice të privilegjuar. Sipas saj, emrat dhe sektorët ndryshojnë, por mënyra e funksionimit mbetet e njëjtë.

“Sistemi i Edi Ramës është i tillë që nuk ka rëndësi sektori dhe as emri, pasi dje ishte Ergysi, sot është Roni dhe nesër do të jetë dikush tjetër. Rëndësi ka fakti se sot gjithçka është kthyer në një shtet privat”, deklaroi Tabaku.

Deputetja demokrate thotë se ky mekanizëm është shfaqur në sektorë strategjikë, duke përmendur teknologjinë e informacionit dhe mbrojtjen, ndërsa ngre shqetësimin se në të ardhmen mund të prekë edhe shëndetësinë.

“Kjo ka ndodhur në sektorin e teknologjisë së informacionit, nëpërmjet AKSHI-t; po ndodh në sektorin e mbrojtjes dhe nesër mund të ndodhë në shëndetësi, duke rrezikuar edhe jetën e shqiptarëve”, u shpreh ajo.

Sipas Tabakut, secili prej këtyre sektorëve ka atë që ajo e cilëson si një “koordinator”, i cili ndikon në ndarjen e aseteve dhe tenderëve. Në rastin e sektorit të mbrojtjes, deputetja përmendi edhe çështjen e pronave, duke iu referuar rastit të familjes Dervishi.

“Secili prej këtyre sektorëve ka një koordinator që ndan asetet publike, merr tenderët dhe, në rastin e mbrojtjes, merr prona publike dhe private, si në rastin e familjes Dervishi. Nesër ata mund të marrin në dorë edhe jetën e shqiptarëve”, shtoi Tabaku.

Ajo akuzoi gjithashtu sistemin qeverisës se nuk bazohet te meritokracia apo aftësitë sipërmarrëse, por te lidhjet dhe njohjet. Sipas saj, mundësitë ekonomike u krijohen vetëm atyre që përfaqësojnë interesa të lidhura me kryeministrin.

“Sistemi i Ramës nuk njeh meritokracinë, aftësitë sipërmarrëse apo CV-në. Ky sistem promovon vetëm njohjet dhe lidhjet, ndërsa të krijon mundësi vetëm nëse përfaqëson interesat e Ramës”, deklaroi deputetja e PD-së.

Tabaku vijoi me akuza konkrete për tenderët e AKSHI-t dhe ata të Ministrisë së Mbrojtjes, duke përmendur Ergys Agasin dhe biznesmenin izraelit Ron Yeffet. Sipas saj, ky model mund të shtrihet më tej edhe në sektorë të tjerë.

“Ky është sistemi që duhet të ndryshojmë, sepse i ka kapur prej fyti shqiptarët. Prandaj tenderët e AKSHI-t i vendoste Ergysi nga zyra e tij, tenderët e ministrisë i vendos Roni nga zyra e tij, ndërsa tenderët e shëndetësisë nesër do t’i vendosë dikush tjetër nga zyra e vet, duke cenuar kështu edhe sigurinë kombëtare”, tha Tabaku.

Deputetja demokrate e cilësoi situatën si një ekonomi të kontrolluar nga një pakicë e privilegjuar, duke pretenduar se rregullat nuk përcaktohen më vetëm brenda institucioneve shtetërore. Ajo e lidhi këtë situatë edhe me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Kjo është arsyeja përse vuajnë shqiptarët: kemi një ekonomi të një pakice të privilegjuar, rregullat e së cilës shkruhen në zyrat e biznesmenëve. Shteti i kapur është kthyer në pengesë për procesin e integrimit europian”, vijoi ajo.

Tabaku tha gjithashtu se, nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, por për një sistem të ngritur dhe konsoliduar, përgjegjësinë për të cilin ia atribuon kryeministrit Edi Rama.

“Gjithçka që po shohim nuk lidhet me një rast episodik. Është një sistem që ka kapur Shqipërinë dhe që mund të rrëzohet vetëm duke rrëzuar kokën e këtij sistemi”, përfundoi Tabaku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat