"Në shesh deri në largimin e Ramës", aktivisti: Kryeministri, koka e peshkut të qelbur

Shqipëria

"Në shesh deri në largimin e Ramës", aktivisti: Kryeministri, koka e peshkut të qelbur

Më: 9 shtator 2026 Në ora: 20:29
Aktivisti

Protestuesit kanë vijuar qëndrimin në shesh edhe në ditën e 102-të, ndërsa një prej aktivistëve ka deklaruar se protesta do të vazhdojë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij, aktivisti akuzoi qeverinë se po përpiqet t'i largojë protestuesit dhe kritikoi veprimet e policisë një ditë më parë.

“Sot jemi në ditën e 102-të të protestës edhe pse qeveria po tenton që të na largojë, por ne nuk largohemi pa ikur Edi Rama. Janë të tmerruar, të pashpresë. Dje nisën të shoqëronin pa bërë asnjë veprim të dhunshëm. Por asgjë nuk na ngul nga ky shesh pa larguar Edi Ramën”, deklaroi ai.

Qytetari ashpërsoi më tej tonet ndaj kryeministrit, të cilin e akuzoi për korrupsion dhe për dëmtimin e së ardhmes së qytetarëve.

“Sot është një nga ato ditë ku dua të flas shumë dhe nuk dua të flas aspak. Dua të kem një grusht të fortë që t’i bie kësaj Kryeministrie, e këtij kryeministri të korruptuar që na ka vjedhur të ardhmen dhe na ka shkatërruar të tashmen”, u shpreh ai.

Një pjesë të fjalimit aktivisti ia kushtoi deputetes së Partisë Socialiste, Iris Luarasi. Ai reagoi ndaj debatit të saj me disa protestuese dhe pretendoi se deputetja nuk kishte ngritur zërin në rastet kur qytetarë pjesëmarrës në protesta u shoqëruan nga policia.

“Dua të flas për Iris Luarasin, e cila u përfol dhe u viktimizua ku disa vajza protestuese, qëndrestare, që nuk i kanë vjedhur asnjë cent pushtetit, vajza që nuk kanë marrë asnjë vendim në atë parlament të krimit. I kërkuan Iris Luarasit llogari si një nga deputetet që nuk na përfaqëson. Po në vend që ajo të na jepte llogari, u viktimizua”, tha aktivisti.

Ai shtoi se gjatë protestave, disa qytetarë janë shoqëruar me forcë dhe janë mbajtur deri në 72 orë në paraburgim.

“Në këto 102 protesta janë marrë me forcë qytetarë, janë tërhequr zvarrë dhe janë mbajtur 72 orë në paraburgim. Ku ishe ti, Iris, që të ngrije zërin për këto gra që janë shoqëruar dhunshëm dhe për 72 orë u privuan paligjshmërisht nga e drejta për të qenë të lira. Ne nuk zgjedhim të viktimizohemi, zgjedhim të qëndrojmë”, përfundoi protestuesi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat