Detaje nga arratisja e Gentian Çipit nga spitali grek/ Gjendet i djegur automjeti i dytë, dyshohet i përdorur nga bashkëpunëtorët

Shqipëria

Detaje nga arratisja e Gentian Çipit nga spitali grek/ Gjendet i djegur automjeti i dytë, dyshohet i përdorur nga bashkëpunëtorët

Më: 12 shtator 2026 Në ora: 16:44
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një mjet i djegur është gjetur sot në zonën e Volvës, rreth një orë larg Serresit, në Greqi. Autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për makinën e dytë të përdorur nga bashkëpunëtorët e të dënuarit shqiptar Gentian Çipi pas arratisjes së tij spektakolare. Sipas informacioneve, një kalimtar ka konstatuar zjarrin rreth orës 06:00 dhe ka njoftuar shërbimin zjarrfikës.

Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë shuar flakët, duke parandaluar përhapjen e tyre në zonën pyjore përreth. Vendndodhja e automjetit konsiderohet një element i rëndësishëm për hetimin, pasi mund tu japë autoriteteve të dhëna mbi itinerarin e ndjekur nga autorët pas arratisjes. Dyshimi kryesor është se makina është përdorur si mjet i dytë largimi dhe më pas është djegur për të humbur gjurmët.

Më herët, pranë spitalit të Serresit u gjet edhe automjeti i parë që dyshohet se lidhet me ngjarjen. Brenda tij u gjetën një kallashnikov, një bidon me benzinë dhe targa. 41-vjeçari Gentian Cipi ishte transportuar në Spitalin e Serresit me një automjet të shërbimit të burgut. Sipas të dhënave të bëra publike, për transferimin e tij nuk ishte kërkuar asistenca e Policisë.

Cipi shoqërohej nga dy të burgosur të tjerë dhe pesë persona të eskortës. Pasi automjeti mbërriti në oborrin e spitalit, disa prej personave zbritën, ndërsa Cipi mbeti brenda së bashku me një të burgosur tjetër dhe dy shoqërues. Në atë moment, të paktën tre persona të armatosur, të cilët dyshohet se mbërritën me dy automjete, kërcënuan eskortën dhe arritën ta nxirrnin Cipi-n nga mjeti.

Autorët u larguan më pas në drejtim të paditur. Policia greke vijon kërkimet për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë, ndërsa automjetet e gjetura dhe provat e sekuestruara po analizohen për të rindërtuar lëvizjet e tyre pas arratisjes.

E shkuara kriminale e Gentian Çipit

Çipi rezulton një person me precendet të rëndë penalë në Shqipëri e në Greqi. Konkretisht ai rezulton i dënuar në Shqipëri në korrik 2024 me 2 vjet burgim për “shkatërrim i pronës me zjarr” e kryer në bashkëpunim dhe në rrethana rënduese. Fillimisht ai ishte hetuar në masën “Arrest në burg” por më pas Gjykata e kishte zbutur masën në “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Garancia pasurore”.

Ai është akuzuar për djegien e një automjeti në 24.04.2023, në lagjen 13, Rr. “Loni Grazhdani” në Korçë. Më herët, në janar 2023, në kuadër të operacionit “Fijet”, policia procedoi Gentian Cipin për shkak se gjeti të vendosura kamera në mënyrë të paligjshme pranë banesës së tij. Në 3 shtator 2024, Gentian Çipi hapi zjarr në Pylaia të Selanikut, duke tentuar të vrasë një 25-vjecar grek jashtë një kantine. Greku u plagos me 3 plumba por arriti t’i mbijetojë plagëve, ndërsa Cipi arriti të arratisej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat