Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtnant Arben Kingji, mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Ushtarak të NATO-s, e cila u zhvillua në Kopenhagë.
Sipas informacioneve paraprake, në takimin ku ishin të pranishëm shefat e mbrojtjes së 32 vendeve aleate, diskutimet u përqendruan te zbatimi i vendimeve të marra në Samitin e NATO-s në Ankara, forcimi i mbrojtjes kolektive dhe parandalimit, zhvillimi i teknologjive të reja, si dhe vijimi i mbështetjes për Ukrainën.
Gjatë takimit Kingji prezantoi angazhimin e Shqipërisë për përmbushjen e objektivave të Aleancës dhe forcimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura.
Në fokus janë vendosur modernizimi i strukturave dhe infrastrukturës ushtarake, rritja e kapaciteteve të Mbështetjes së Vendit Pritës si dhe pjesëmarrja shqiptare në operacionet ndërkombëtare.
Një tjetër pikë e rëndësishme është kontributi i Shqipërisë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit përmes mbështetjes së misionit të KFOR-it në Kosovë. Gjithashtu, vendi ynë do të bashkëorganizojë vitin e ardhshëm stërvitjen shumëkombëshe 'Steadfast Dart 27', e cila synon forcimin e gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë së forcave aleate.