Qytetarët janë mbledhur sërish në Tiranë në ditën e 125-të të protestës kundër qeverisë. Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit kanë nisur marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.
Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, mes tyre “Nuk shitet Shqipëria, shitet qeveria” dhe “Poshtë Edi Rama”.
Pas mbërritjes përpara Kryeministrisë, tubimi ka vijuar me fjalime nga aktivistë dhe pjesëmarrës në protestë, të cilët kanë shprehur kundërshtimet e tyre ndaj politikave të qeverisë.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Në platformën e tyre përfshihet gjithashtu krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
Protestuesit kërkojnë edhe ndryshime kushtetuese dhe kundërshtojnë disa nisma ligjore, përfshirë ndryshimet që lidhen me zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Tubimet kanë nisur fillimisht si kundërshtim ndaj një projekti turistik në zonën e Zvërnecit, ndërsa më pas kërkesat janë zgjeruar edhe në çështje politike dhe në kërkesën për largimin e qeverisë.
Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vijojnë, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të paraqitura prej tyre.