Çfarë po ndodh në Tiranë? Përplasje gjatë protestës, të lënduar e të arrestuar, pezullohen 4 policë

Shqipëria

Çfarë po ndodh në Tiranë? Përplasje gjatë protestës, të lënduar e të arrestuar, pezullohen 4 policë

Më: 13 tetor 2026 Në ora: 18:18 Përditësuar në ora: 19:12 më 13.10.2026
Pamje nga protesta

MSHMS: Strukturat shëndetësore në gatishmëri për t’u ofruar ndihmë mjekësore personave të dëmtuar gjatë protestës

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje për ndihmë mjekësore gjatë protestës dhe pas përshkallëzimit të saj.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Pas konsultës me mjekët, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës.

Në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor edhe dy përfaqësuese të medias, të cilat, pas ekzaminimeve dhe konsultave përkatëse, janë larguar me këshillën e mjekut, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, gjashtë efektivë të Policisë, të raportuar me dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën, me këshillën e mjekut.

Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital, ku do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim nga mjekët.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe strukturat shëndetësore mbeten në gatishmëri për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit mjekësor për çdo person që paraqet nevojë.

Vijojnë tensionet, studentët ndezin tre zjarre në rrugë dhe refuzojnë të shpërndahen

Protesta studentore vijon prej orës 14:00 mes tensioneve të herëpashershme në Rrugën e Durrësit, ku të rinjtë kanë bllokuar kryqëzimin dhe kanë ndezur tre zjarre në mes të rrugës. Njëri është në fillim të “Rrugës së Durrësit”, një te degëzimi me “Mine Pezën”, ndërsa po digjet edhe një tabelë reklamash.

Pavarësisht ndërhyrjeve të përsëritura të policisë për t'i shpërndarë, protestuesit nuk janë tërhequr, duke vijuar qëndresën dhe thirrjet kundër kryeministrit Edi Rama.

“Poshtë Edi Rama!”, dëgjohet të thërrasin studentët, të cilët vijojnë të mbajnë kryqëzimin të bllokuar, ndërsa prania e forcave të rendit mbetet e shtuar.

Ndërkohë, efektivët e policisë kanë krijuar një kordon për të penguar kalimin e protestuesve drejt Ministrisë së Arsimit. Në zonë janë vendosur edhe automjete policie, të cilat kanë bllokuar rrugën që të çon drejt godinës së institucionit.

Forcat e rendit kanë tentuar disa herë të shpërndajnë studentët, por këta të fundit kanë vijuar protestën, ndërsa situata është shoqëruar me momente tensioni.

Protesta nisi para Ministrisë së Arsimit dhe u shoqërua me përplasje mes studentëve dhe policisë. Gjatë tubimit, efektivët ndërhynë disa herë me gaz lotsjellës dhe autobote me ujë me presion, ndërsa u raportuan persona të lënduar dhe 23 të shoqëruar.

Bllokimi i Rrugës së Durrësit dhe i kryqëzimeve përreth ka shkaktuar trafik të rënduar, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe funksionimin e transportit publik në disa akse të kryeqytetit.

Studentët, të cilëve iu bashkuan edhe qytetarë, kanë dalë në protestë për të kërkuar përmirësimin e kushteve në universitete dhe konvikte, si dhe ndryshime në drejtimin e vendit.

Sërish tensione në protestë, tubuesit përplasen fizikisht me efektivët, policia i largon me gazlotsjellës

Sërish tensione në protestë, tubuesit përplasen fizikisht me efektivët, policia i largon me gazlotsjellës.

VJON…

Mbi 3 orë protestë mes gurëve e flakës, 23 të arrestuar, disa policë dhe një gazetare e plagosur. Ministria e Arsimit si arenë “lufte”, zmbrapsen me gazlotsjellës dhe ujë me presion

Studentët kanë mbajtur këtë të martë protestën e thirrur përpara Ministrisë së Arsimit.

Tensionet nuk kanë munguar, me protestuesit menjëherë sapo ka nisur tubimi kanë gjuajtur me vezë dhe të ngjyrosën me sprej muret e godinës.

Më pas ata kanë shkulur kangjellat e hekurta që ndodheshin në trotuar dhe tullat, duke i hedhur në drejtim të godinës dhe thyer xhamat e dritareve.

Më pas ata u futën brenda rrethimit të godinës, teksa kanë bërë thirrje “Digje, digje”…

Pas kësaj, ata tentuan të shqyenin derën e hekurtit dhe të futeshin brenda në godinë, ndërkohë kanë hedhur edhe flakadanë.

Policia ka ndërhyrë duke krijuar një kordon, e më pas ka përdorur shkopa gome dhe ka shoqëruar protestuesit, teksa situata tensionohet herë pas here.

Po ashtu autoboti i ujit ka ndërhyrë me presion uji, teksa edhe një protestuese ka mbetur e lënduar pasi ishte e gjakosur në kokë, po ashtu raportohet edhe për të tjerë të lënduar.

Të rinjtë kanë bërë thirrje për të mos u dorëzuar gjatë protestës. Pasi policia i shpërndau me presion uji, protestuesit u shpërndanë, por u rigrumbulluan përpara Ministrisë së Arsimit.

Tensionet vijojnë ende mes policisë dhe protestuesve, ku në gatishmëri janë forca të shumta policie dhe autobotë.

Protesta e studentëve, Policia e Shtetit: 23 të shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale

Policia e Shtetit informoi sot se pas incidenteve të ndodhura sot gjatë protestës përpara Ministrisë së Arsimit janë shoqëruar 23 protestues për veprime të mëtejshme procedurale.

Në një reagim në rrjetet sociale, Policia e Shtetit thekson se si pasojë e sulmit nga persona të maskuar, pjesëmarrës në protestë, janë lënduar 6 punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë, si dhe një shtetase, gazetare.

Sipas Policisë, të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Strukturat hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë nisur menjëherë veprimet hetimore dhe procedurale për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në veprime të paligjshme gjatë këtij tubimi.

Policia e Shtetit thekson sërish angazhimin e saj për të garantuar plotësisht ushtrimin e së drejtës kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor dhe fton pjesëmarrësit në tubime që të mos bëhen pjesë e veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, pasi do të përballen me pasojat penale që parashikon ligji.

Gjatë zhvillimit të tubimit, një grup pjesëmarrësish kanë kryer veprime të dhunshme, duke dëmtuar rrethimin e jashtëm dhe më pas për të hyrë në oborr, kanë dëmtuar edhe portën hyrëse. Gjithashtu, kanë vijuar të thyejnë dhe të dëmtojnë me pllaka guri dhe sende të forta xhamat dhe fasadën e godinës

Punonjësit e Policisë u kanë bërë thirrje të ndalonin sulmin ndaj institucionit, por ata kanë vijuar të godasin punonjësit e Policisë me molotovë, kapsolla, gurë dhe sende të forta.

Punonjësit e Policisë u kanë bërë sërish thirrje personave të dhunshëm që të ndalonin sulmin dhe të dilnin nga oborri i godinës së Ministrisë, por pjesëmarrësit nuk u janë bindur thirrjeve të përsëritura të Policisë.

Në këto kushte, në përputhje me ligjet në fuqi dhe procedurat standarde të punës, strukturat e Policisë kanë ndërhyrë në mënyrë proporcionale për neutralizimin e autorëve të këtyre veprimeve dhe rivendosjen e rendit.

Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë tubimit që do të zhvillohej mesditën e sotme, në afërsi të godinës së Ministrisë së Arsimit, Policia e Shtetit hartoi një plan masash, në zbatim të ligjit dhe procedurave standarde të punës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat