Tensione në disa pika të Tiranës, policia përdor gaz lotsjellës, sulmohen konviktet

Shqipëria

Tensione në disa pika të Tiranës, policia përdor gaz lotsjellës, sulmohen konviktet

Më: 15 tetor 2026 Në ora: 10:05 Përditësuar në ora: 19:00 më 15.10.2026
Pamje nga protesta

Tensione në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, policia ndërhyn me gaz lotsjellës dhe ujë me presion

Situata është tensionuar sërish përpara Kryeministrisë, ku forcat e policisë kanë ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit. Ndërhyrja vjen në një kohë kur numri i demonstruesve në bulevard është rritur ndjeshëm, ndërsa grupe protestuesish vijojnë të qëndrojnë në zonë.

Tensione të reja janë regjistruar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë, ku policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën e protestuesve.

Forcat e rendit kanë intensifikuar ndërhyrjen në zonën përpara selisë së qeverisë, ndërsa demonstruesit vijojnë të qëndrojnë në bulevard, pavarësisht përdorimit të mjeteve për shpërndarjen e tyre.

Ndërhyrja e policisë vjen pas një rritjeje të ndjeshme të numrit të protestuesve, të cilët janë grumbulluar sërish përpara Kryeministrisë pas disa orësh marshimi në rrugë të ndryshme të kryeqytetit.

Gazi lotsjellës ka detyruar një pjesë të demonstruesve të largohen përkohësisht nga pikat ku është përqendruar ndërhyrja, ndërsa policia ka përdorur edhe ujë me presion për të krijuar distancë mes turmës dhe forcave të rendit.

Situata në bulevard mbetet e tensionuar, me grupe protestuesish që vijojnë të lëvizin dhe të rigrupohen në zonën përreth Kryeministrisë.

Më herët gjatë ditës, policia kishte vendosur kordone nga të dyja anët e bulevardit dhe kishte avancuar gradualisht, duke i shtyrë demonstruesit drejt Urës së Lanës. Një tjetër kordon ishte vendosur edhe në hyrje të Pedonales, ndërsa gjatë ndërhyrjeve janë raportuar shoqërime të shumta.

Përplasjet përpara Kryeministrisë janë shoqëruar edhe me hedhje gurësh dhe fishekzjarrësh drejt policisë. Në të njëjtën zonë, një kioskë është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar tym në bulevard.

Gjatë ditës së tretë të protestave, demonstruesit kanë marshuar edhe në Rrugën e Elbasanit, pranë stadiumit dhe Presidencës, si dhe në zonën e Librit Universitar. Në disa prej këtyre zonave janë regjistruar dëmtime të pronës private dhe sulme ndaj bizneseve e institucioneve bankare.

Ende nuk ka një bilanc zyrtar për numrin e personave të shoqëruar gjatë protestës apo për dëmet e përgjithshme materiale.

Ndërkohë, policia vijon ndërhyrjen me gaz lotsjellës dhe ujë me presion në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë dhe situata mbetet e tensionuar.

Tre ditë protesta, reagon kryetari i Kuvendit: Situatë e paprecedentë dhune, rrezikohet siguria dhe rendi publik

Peleshi e ka cilësuar situatën shqetësuese, duke iu referuar akteve të dhunës ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe pasurisë private, si dhe informacioneve të institucioneve ligjzbatuese për skenarë që, sipas tij, rrezikojnë rendin dhe sigurinë publike...

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka reaguar lidhur me situatën e protestave në vend, duke njoftuar shtyrjen me një javë të seancës plenare që ishte parashikuar të zhvillohej gjatë ditës së sotme.

Përmes një deklarate publike, Peleshi e ka cilësuar situatën shqetësuese, duke iu referuar akteve të dhunës ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe pasurisë private, si dhe informacioneve të institucioneve ligjzbatuese për skenarë që, sipas tij, rrezikojnë rendin dhe sigurinë publike.

“Me përgjegjësinë për të garantuar një seancë të qetë, ku çdo deputet të ketë hapësirën kushtetuese dhe ligjore për të ushtruar detyrën e tij shtetërore, përballë një situate të paprecedentë dhune ndaj institucioneve të shtetit, pronës publike dhe pasurisë private të qytetarëve, vendosa ta shtyj me një javë seancën plenare të planifikuar për sot”, deklaroi Peleshi.

Kreu i Kuvendit theksoi se vendimi synon gjithashtu shmangien e çdo situate që mund të shërbejë si shkak për provokime apo përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve. Në deklaratën e tij, Peleshi u bëri thirrje përfaqësuesve të politikës, shoqërisë civile, botës akademike, biznesit dhe qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë dhe stabilitetit në vend.

“Sot është dita kur çdo shtetar, çdo parti politike, çdo organizatë jofitimprurëse, përfaqësuesit e elitës akademike dhe të biznesit, dhe çdo qytetar i denjë i këtij vendi duhet t’i thërrasë arsyes dhe instinktit tonë kombëtar për paqe”, u shpreh ai.

Një pjesë të rëndësishme të deklaratës, kryetari i Kuvendit ia kushtoi përfshirjes së të rinjve në protestat dhe zhvillimet e fundit, duke kërkuar që të miturit dhe nxënësit e shkollave të mesme të mbahen larg akteve të dhunës. Sipas Peleshit, studentët dhe të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të kërkojnë më shumë nga institucionet dhe të dëgjohen për shqetësimet e tyre, por aktet e dhunës nuk duhet t'u atribuohen atyre.

“Ata nuk duhet të ushqehen me urrejtje. Ata nuk duhet të formohen nga dhuna e rrugës. Ata nuk duhet të lihen në duart e forcave të errëta, me qëllime aspak shqiptare”, theksoi ai.

Integrimi europian, Peleshi paralajmëron për pasojat e tensioneve

Kryetari i Kuvendit e lidhi situatën e krijuar edhe me perspektivën europiane të Shqipërisë, duke paralajmëruar se tensionet dhe aktet e dhunës mund të dëmtojnë përpjekjet e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai theksoi se procesi i integrimit nuk është i garantuar dhe zhvillohet në një periudhë të ndërlikuar gjeopolitike, veçanërisht për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ky proces mund të pengohet nga forca malinje, por kurrsesi nuk duhet të pengohet, as të prishet, nga vetë ne, shqiptarët modernë të shekullit XXI”, deklaroi Peleshi.

Në përfundim, kreu i Kuvendit u bëri thirrje të gjitha palëve politike dhe shoqërore që të zgjedhin dialogun në vend të përplasjes, duke theksuar se dallimet politike nuk duhet të cenojnë interesin e përbashkët kombëtar.

“Të ulemi. Të flasim. Të diskutojmë dhe të debatojmë për të ardhmen, pa harruar kurrë se, mbi të gjitha, jemi të gjithë shqiptarë”, përfundoi deklaratën kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Një vajzë e lënduar në protestë, qytetarët hapin rrugën dhe i japin përparësi makinës, nisen për te Trauma

Një vajzë është plagosur në kokë gjatë protestës, pasi është goditur nga një gur.

Sipas informacioneve paraprake, e reja ka marrë dëmtime dhe po transportohet drejt Spitalit të Traumës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Burime bëjnë me dije se goditja dyshohet të ketë qenë aksidentale, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta.

Pas incidentit, qytetarët i kanë ardhur në ndihmë vajzës, duke hapur rrugën për automjetin që ta transportojë sa më shpejt drejt urgjencës.

Pritet të mësohen më shumë detaje mbi gjendjen shëndetësore të saj dhe rrethanat në të cilat ndodhi plagosja.

“Pranga vjedhësve të bankave”/ Hita: Ndërhyrja e policisë në protestë është e ligjshme

Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar për protestat e dhunshme, duke deklaruar se mbi 70 efektivë policie kanë mbetur të plagosur.

Gjatë një konference për mediat, ai theksoi se ndërhyrja e policisë është kryer në përputhje me ligjin dhe standardet përkatëse. Hita u shpreh se protesta nuk përfaqëson studentët dhe bëri thirrje për distancim nga dhuna, ndërsa konfirmoi arrestime për akuza që lidhen me vjedhje bankash.

Ai paralajmëroi se policia do të vijojë veprimet ligjore ndaj personave përgjegjës, nëse aktet e dhunës vazhdojnë.

“Funksionaliteti i dhunës ka qenë në përputhje me të gjitha ligjet e Republikës së Shqipërisë dhe standardet që ne kemi. Janë mbi 70 policë të plagosur, çka tregon qartë se atje ka pasur një dhunë. Sa u takon të gjithë organizatorëve në protestë, dihet shumë mirë që ajo nuk është një protestë e studentëve.

Ne duhet të distancohemi nga dhuna dhe nuk duhet që të jemi pjesë e saj. Deri në këto momente, sa u takon edhe veprimtarive të vjedhjeve të bankave, janë arrestuar persona për këto akuza. Vazhdon puna për identifikimin e këtyre personave. Edhe sot në drekë u dëmtua një institucion financiar. Nëse kjo dhunë vazhdon me këto përmasa, do të vazhdojnë me forcën e ligjit dhe të vëmë përpara të gjithëve”, tha Hita.

Tiranë, Shkodër e Durrës: Protestat shoqërohen me dhunë dhe dëme materiale

Protestat e studentëve dhe të rinjve në Shqipëri janë shoqëruar me incidente të dhunshme, përplasje me Policinë dhe dëme të konsiderueshme materiale në disa qytete, përfshirë Tiranën, Shkodrën dhe Durrësin.

Në ditën e tretë të protestave, situata është përshkallëzuar në kryeqytet, ku protestuesit kanë dëmtuar biznese private, objekte publike dhe banka, ndërsa Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për t'i shpërndarë turmat.

Në Tiranë, protestuesit kanë lëvizur në disa zona të qendrës së qytetit, duke dëmtuar hapësira publike dhe duke u përplasur me forcat e rendit. Pas largimit nga zona e Ministrisë së Arsimit, ata kanë shkatërruar kioska, kanë përdorur frigoriferë dhe degë pemësh për të ndezur zjarre, si dhe kanë thyer xhamat e bizneseve përgjatë rrugës.

Tensionet kanë vazhduar në zonën prapa Muzeut Kombëtar dhe në rrugët që lidhen me Rrugën e Durrësit. Protestuesit kanë tentuar të sulmojnë edhe godinën e Partisë Socialiste dhe Bankën e Shqipërisë, ndërsa Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

Më pas, protestuesit janë zhvendosur drejt sheshit “Skënderbej” dhe Bashkisë së Tiranës, ku kanë hedhur gurë në drejtim të godinës. Ata kanë sulmuar gjithashtu Teatrin e Kukullave, ndërsa përplasjet me Policinë kanë vazhduar edhe në zona të tjera të kryeqytetit.

Një nga incidentet më të rënda është regjistruar pranë sheshit “Ushtari i Panjohur”, ku protestuesit kanë sulmuar një bankë të nivelit të dytë. Fillimisht kanë dëmtuar fasadën, dyert dhe bankomatët, ndërsa më pas kanë hyrë në ambientet e brendshme, ku kanë shkatërruar pajisje dhe dokumente. Sipas raportimeve, disa prej dokumenteve janë nxjerrë jashtë dhe u është vënë flaka në rrugë.

Dëme të tjera janë raportuar pranë zonës së Tajvanit dhe në hyrje të ish-Bllokut, ku janë thyer xhamat e bizneseve dhe të një banke, ndërsa është djegur edhe kabina e rojës pranë ish-ambasadës ruse. Në disa prej këtyre zonave, Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës, ndërsa një pjesë e protestuesve kanë vazhduar të qëndrojnë në qendër të qytetit.

Protestat janë shoqëruar me incidente edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Në Shkodër, studentët dhe nxënësit kanë bojkotuar mësimin dhe janë mbledhur para Bashkisë së qytetit. Situata është tensionuar pas arrestimit të disa protestuesve, ndërsa një grup prej tyre është zhvendosur drejt Komisariatit të Policisë, ku ka hedhur gurë në drejtim të efektivëve.

Gjatë përplasjeve është goditur me gurë komandanti i Forcave të Rendit, Fasli Rama, i cili ka mbetur i plagosur. Deri në raportimet e fundit, nuk janë bërë të ditura hollësi të mëtejshme për gjendjen e tij shëndetësore dhe numrin e saktë të personave të arrestuar.

Ndërkohë, në Durrës, studentët janë mbledhur fillimisht para Bashkisë, ku kanë hedhur vezë në drejtim të godinës. Më pas, situata është përshkallëzuar pranë Postës Shqiptare, ku janë raportuar përplasje mes protestuesve dhe Policisë.

Gjatë incidenteve janë dëmtuar ambientet e Postës Shqiptare dhe disa biznese private, ndërsa disa persona janë shoqëruar nga Policia.

Protestat, të cilave u janë bashkuar studentë dhe nxënës që kanë bojkotuar procesin mësimor, kanë hyrë kështu në ditën e tretë, të shoqëruara me tensione dhe dëme materiale në disa qytete të vendit.

Ndalohen të mitur në Kukës gjatë protestës, Policia: Në komisariat do të shoqërohen në praninë e prindit dhe psikologut

Policia po vijon procedurat për dokumentimin e incidenteve, ndërsa të miturit nuk do të futen në ambientet e komisariatit pa praninë e prindit dhe psikologut.

Disa persona janë shoqëruar nga Policia në Kukës pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar në qytet.

Mes personave të shoqëruar ka edhe të mitur. Sipas Policisë, ata nuk do të futen në ambientet e komisariatit pa praninë e prindit dhe psikologut.

Ndërkohë, autoritetet po vijojnë procedurat për dokumentimin e incidenteve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjeve të regjistruara gjatë protestës.

U godit me gur në kokë, Komandanti i forcave të rendit në policinë e Shkodrës në gjendje të rëndë

Komandanti i forcave të rendit në policinë e Shkodrës, Fasli Rama është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Efektivi i policisë është dërguar me urgjencë drejt Tiranës për shkak se rrezikon jetën duke qenë se ka një plagë të rëndë në kokë.

Komandanti u godit me gur në kokë nga protestuesit që ndodheshin përpara policisë vendore të Shkodrës.

Gjatë një përleshje me efektivët, punonjësi i policisë Fasli Rama mori goditje të fortë në kokë duke qenë në gjendje të rëndë për jetën.

Përfundon pas 5 orësh protesta në Korçë mes tensioneve dhe përplasjeve, mbi 20 të rinj të shoqëruar

Pas rreth pesë orësh tensione dhe përplasjesh, protesta në qytetin e Korçës ka përfunduar. Tubimi u karakterizua nga pjesëmarrje masive, ku krahas gjimnazistëve, iu bashkuan edhe nxënës të shkollave 9-vjeçare.

Gjatë protestës, disa prej akseve rrugore në qytet u bllokuan, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Situata u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Nga incidentet u raportuan dëmtime në ambientet e gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, Drejtorisë Arsimore dhe Bashkisë së Korçës.

Përplasjet sollën edhe persona të lënduar nga të dyja palët, mes tyre efektivë policie dhe protestues.

Ndërkohë, mbi 20 të rinj janë shoqëruar në komisariat, ndërsa pritet të zbardhen rrethanat e plota të incidenteve të regjistruara gjatë tubimit.

Qendra e kryeqytetit në kaos, të rinjtë sulmojnë me gurë bashkinë e Tiranës

Qendra e kryeqytetit është përfshirë nga tensionet, ndërsa të rinjtë që po marrin pjesë në protestë kanë hedhur gurë në drejtim të godinës së Bashkisë së Tiranës.

Situata tashmë ka dalë jashtë kontrollit, pasi studentët dhe gjimnazistët nuk po e ndalin revoltën e nisur dy ditë më parë.

Ndërkohë që protestuesit janë shpërndarë në të gjithë qendrën e Tiranës, ku ndodhen edhe shumica e ministrive, policia ka hedhur gaz lotsjellës me qëllim shpërndarjen e tyre.

Për të tretën ditë me radhë protestat janë shoqëruar me përplasje me policinë, përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, si dhe dëmtime të pronës publike e private.

Tensione në protestë/ Konfrontim mes Policisë dhe protestuesve në Durrës, turma reagon pas përplasjes me një të ri

Tensione dhe konfrontime janë regjistruar gjatë protestës në Durrës, ku një efektiv policie është përfshirë në një përplasje fizike me një protestues.

Pas incidentit, protestues të tjerë kanë ndërhyrë, duke iu drejtuar efektivit dhe duke përshkallëzuar situatën.

Pas përplasjes, turma është afruar drejt forcave të Policisë, ndërsa situata mbetet e tensionuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat