Protestat në Tiranë, Koçibellinj: Qytetarët po trajtohen si armiq të popullit

Shqipëria

Protestat në Tiranë, Koçibellinj: Qytetarët po trajtohen si armiq të popullit

Më: 31 tetor 2026 Në ora: 19:35
Pamje nga protesta

E gjithë kjo qasje, tha ajo, duket të jetë një mekanizëm i mirëmenduar dhe i drejtpërdrejtë për të ndjellë frikë. Ndjekja e protestuesve nëpër rrugica të errëta dhe ndalimi i mediave për të raportuar në mënyrë transparente synojnë të shtypin fjalën e lirë dhe të trembin çdo individ që kërkon të ushtrojë të drejtën e tij demokratike. Ky presion sistematik vlerësohet si një përpjekje e qartë për të mbytur zërin e pakënaqësisë, duke shpërfillur faktin se detyra parësore e autoriteteve është mbrojtja e lirive thelbësore të popullatës.

PJESË NGA BISEDA

Suela Koçibellinj: Qytetari po trajtohet si armik i popullit. Pra, kur unë shoh një të tillë vërsulje, urrejtje në kuadër të asaj që themi po mbrojmë diçka, po ndërkohë po i vërsulemi një qytetari i cili është i pambrojtur. Unë nuk kam parë deri më tani akoma një qytetar që ka helmet në kokë apo që ka nga këto pajisjet e mëdha që kanë të veshur të gjithë policët, që po themi mund të jenë edhe kundër dëmit që mund t'ju vijë nga zjarri, nga uji, nga gurët, nga gjithçka tjetër. 

Të gjithë qytetarët aty janë me rroba të thjeshta dhe kjo i vendos në një kusht totalisht të disbalancuar mes se sa pushtet dhe fuqi ka policia për të ushtruar, por edhe për të mbrojtur veten e vet. Dhe automatikisht kur shoh, unë sot shoh më shumë policë me thënë të drejtën sesa qytetarë në këtë moment dhe është e dhimbshme se si ne kemi sot më shumë policë aty në terren sesa qytetarë të cilët kanë të drejtë të protestojnë. Pra, ata duhet të protestojnë dhe ne duhet ta mbrojmë të drejtën e tyre dhe jo t'i luftojmë ashiqare të drejtën e tyre dhe të mendojmë që duke mbyllur zërin, po shquajmë problematikën. Pikërisht për këtë arsye them shikohet si armiku i popullit.

Pamjet me ndjekje të protestuesve nëpër rrugica të ndryshme të lagjeve në errësirë jo vetëm. Çfarë të sjell? Çfarë të bën të mendosh përtej asaj që ti e di realisht se si protestohet? Por nëse do ishe një qytetare që nuk ka shkuar asnjëherë në protestë dhe shikon këto pamje, a do t'ju fusnin ty frikën për të mos dalë asnjëherë në rrugë të Tiranës?

Suela Koçibellinj: Absolutisht është një mekanizëm i drejtpërdrejtë për të ndjellë frikë tek qytetarët dhe për të ushtruar presion tek qytetarët, tek çdo qytetar i cili nuk ka guxuar asnjëherë të protestojë dhe nuk e di çfarë do të thotë që është e drejta jote të protestosh. Është e drejtë demokratike, është e drejtë e garantuar mbi të drejtat e njeriut që ti të reagosh kur je i pakënaqur dhe të thuash me zë të lartë se për çfarë je i pakënaqur. Mua më shqetësojnë pamjet kur shoh policë që vërsulen mbi njerëz, sot po shohim polici e cila po ndalon median të ketë akses te informacioni dhe të transmetojë informacionin në mënyrë transparente, ashtu siç media e kap te çdo qytetar që po e ndjek protestën dhe po ndjek me zemër, dikush me mendje, dikush me llogari, se çfarë po ndodh në protesta. Edhe ndalimi i fjalës së lirë dhe medias është po prapë një mekanizëm që është vetëm ndrydhës. Pra nuk është një mekanizëm i cili duhet të korrespondojë sot me shoqërinë shqiptare. Dhe kur shoh, dhe këtë dua ta them, dhunën e madhe të ushtruar ndaj të rinjve dhe të rejave, ndaj atyre që dallojnë dhe në trup, një pjesë e mirë janë të brishtë në trup, janë edhe minorenë në trup, dhe të gjithë ata trupmëdhenj të cilët paguhen nga ne, të veshur me uniformën e policisë, ushtrojnë, gjashtë burra, dhunë mbi një minoren, kjo pastaj kalon çfarëdolloj norme, mase për të kuptuar që, a realisht këta policë e kuptojnë se cila është detyra e tyre? A dinë ata të marrin masa të arsyeshme? A dinë ata të kuptojnë që përballë tyre kanë qytetarë që kanë të drejtën për të protestuar, dhe ata policë janë aty për të mbrojtur dhe të drejtën e atyre qytetarëve për të protestuar dhe jo ndoshta vetëm urdhrin e eprorëve të tyre? Pra kjo është shqetësuese. Se në fund fare ata janë bij nënash të gjithë. Të dyja palët. Prandaj them, domethënë, janë vendosur të dyja palët në shesh armiq me njëri-tjetrin e ndërkohë të tjerë persona janë që gëzojnë edhe rrinë rehat nëpër karriget e tyre. Kjo është për të ardhur keq.

Çfarë e ka ushqyer këtë mosbesim kaq të madh ndaj institucioneve?

Suela Koçibellinj: Shiko e di çfarë e ka ushqyer?! Është shumë e thjeshtë ta thuash. E ka ushqyer përditshmëria jonë. Pra nuk është se ne këtu po shpikim diçka. Sa nga ne kanë shkuar në spital dhe nuk kanë marrë shërbim? Sa nga ne kanë shkuar dhe që te roja ka kërkuar të marrë një bakshish të vogël apo një lek në dorë apo te pastruesja apo mjeku. Sa nga ne i jemi përplasur dyerve për një dokument i cili është deleguar nga dera në derë dhe në fund fare atë që duhet ta bënin na është dukur sikur na kanë bërë një nder të madh. Sa nga ne e kanë të vështirë të bëjnë një lloj dallimi sot mes "e kanë për detyrë për ta bërë një shërbim, apo e kanë nder vetëm për mua, a duhet patjetër të njohim dikë?" Sa nga ne njohin studentë që nuk ia dalin të mbyllin muajin? Mendo po sa nga ne janë që po mbytemi në kredi sepse nuk po arrijmë dot të përballojmë jetën? Pra pa kaluar pastaj në nivelin makro të ekonomisë. Sa padrejtësi dhe sa çështje janë që nuk zbardhen. Sa persona kanë mbrojtje politike dhe ata gjithmonë janë të larë dhe të pastër përpara gjithçkaje dhe vetëm për ata ka rrugëzgjidhje. Ndërkohë për popullin e thjeshtë ne kemi ende në burg sot persona që kanë hyrë për një faturë energjie elektrike, ndoshta 10 mijë lekë të reja të pashlyer. Dhe kanë lënë dhe fëmijët në rrugë të madhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat