Pamje mahnitëse, mali i Krujës me ngjyrat e zjarrta të vjeshtës

Shqipëria

Pamje mahnitëse, mali i Krujës me ngjyrat e zjarrta të vjeshtës

Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 10:05
Mali i Krujës

TIRANË, 16 nëntor /ATSH/ I konsideruar si “Ballkoni i Shqipërisë”, me një lartësi 1110 m, mali i Krujës të ofron një pamje mbresëlënëse të Adriatikut, territorit nga Mali i Zi deri në malin e Tomorrit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky destinacion, i cili në këtë periudhë të vitit mbulohet nga ngjyrat e arta të vjeshtës.

Pamjet e publikuara pasqyrojnë bukurinë e veçantë të malit të Krujës gjatë vjeshtës, kur peizazhi natyror merr nuanca të ngrohta dhe krijon një atmosferë tërheqëse për vizitorët.

Mali i Krujës është një vend i njohur për ekoturizëm dhe aktivitete në natyrë si ecje në natyrë, shëtitje dhe eksplorim natyre. Peizazhi i tij i larmishëm ofron mundësi për rekreacion dhe qetësi.

Përveç vlerave natyrore, zona mbart një trashëgimi të rëndësishme historike dhe shpirtërore. Mali i Krujës lidhet me hapjen e teqesë së parë në vend dhe me figurën e Sari Salltikut, veprat e të cilit kujtohen edhe sot. Për shkak të rëndësisë së tij fetare, ky vend ka qenë ndër vite një pikë e frekuentuar nga pelegrinët dhe vizitorët

Me peizazhet karakteristike, trashëgiminë historike dhe rëndësinë shpirtërore, mali i Krujës mbetet një prej destinacioneve me potencial të rëndësishëm turistik, veçanërisht gjatë stinës së vjeshtës, kur natyra e zonës merr një pamje të veçantë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat