Kryetrajneri i klubit të hendbollit Istogu, kampion në fuqi, Faruk Shala, tha se Flamuri shtetëror duhet të jetë i detyrueshëm në çdo stadium, sallë apo arenë sportive.
Shala është i revoltuar me atë çka ka ndodhur në stërvitjen e djeshme të futbollit në Murcia të Spanjës, ku nuk ishte i pranishëm flamuri i Kosovës, pasi që islandezët si mikpritës nuk e vendosën.
“Flamuri shtetëror duhet të jetë i detyrueshëm në çdo stadium, sallë apo arenë sportive
Rasti i sotëm në ndeshjen e Kombëtares së Kosovës në Spanjë, ku nuk u respektua simboli shtetëror – flamuri – me apo pa qëllim, është vetëm një nga shumë situatat e ngjashme me të cilat sporti kosovar është përballur që nga pranimi i tij në garat ndërkombëtare.
Të gjithë i dimë rastet më të njohura, prandaj nuk ka nevojë t’i përmendim.
Megjithatë, ajo që është shqetësuese është fakti se edhe në arenat tona sportive – qoftë stadiume apo palestra – në shumë prej tyre mungon flamuri shtetëror i Kosovës, ose ai vendoset në përmasa të vogla e simbolike.
Mendoj se shteti ynë duhet ta bëjë me ligj të detyrueshëm vendosjen e flamurit shtetëror në çdo objekt sportiv, sipas standardeve të përcaktuara. Nëse duam që flamuri i shtetit tonë të respektohet nga të tjerët, fillimisht ne vetë duhet ta respektojmë dhe ta promovojmë fuqishëm.
Kjo do të ndihmojë që ai të imponohet dhe të pranohet nga të gjithë, sepse Kosova ka arritur deri këtu me shumë mund dhe sakrificë.
Popujt vlerat e tyre kombëtare, kulturore dhe historike i promovojnë dhe i shfaqin përmes sportit.
Prandaj, rëndësia e flamurit shtetëror dhe kombëtar është e jashtëzakonshme, sepse ai përfaqëson shtetin dhe identitetin tonë”, ka shkruar Shala.