Kapitenja e kombëtares së Kosovës, Fortesa Orana, sot ka festuar suksesin e madh që shënuan në Kampionatin Evropian që u mbajt në Yerevan të Armenisë.
Kosova ka fituar medaljen e bronztë, pasi që e mposhtën me rezultat 2:1 Greqinë.
Karateistet Fortesa Orana, Vlera Qerimi, Elmedina Istogu e Behije Mustafa, lartësuan shtetin e Kosovës.

Vlera Qerimi, kapitenja Fortesa Orana, Elmedina Istogu dhe Behije Mustafa
Fortesë ashtu si i ka hije ka qenë si fortesë për kundërshtaret, e pakapshme në secilë luftë.
Fortesa ka përshkruar rugëtimin e saj në pika të shkurtra.
“Kjo medalje ka qenë ëndrra ime.
Jam rrëzuar shumë herë, por gjithmonë jam ngritur sërish. Kam derdhur lot, kam punuar fort dhe kam bërë shumë sakrifica. Sot po shijoj frytet e gjithë përpjekjeve të mia.
Gjithmonë kam qenë e lidhur me medaljet evropiane.
Në garat individuale jam afruar tre herë për medaljen e bronztë.
Kam jetuar çdo ditë me shpresën se një ditë do ta thyej akullin e vendit të pestë. Kësaj here ia dola, me ekipin e vajzave — dhe jam jashtëzakonisht krenare për veten që nuk u dorëzova kurrë”, ka thënë Fortesa.]
Fortesa, sypatrembur, është e emocinuar dhe medaljen e bronztë ia ka dedikuar nënës së saj të ndjerë, Lirijes.
“Kjo medalje i dedikohet nënës sime të ndjerë, e cila më ka rritur dhe ka sakrifikuar gjithçka për mua. Ajo ishte një shembull i një nëne luftëtare, ashtu siç jam edhe unë sot. Nuk ndalem kurrë.
Faleminderit të gjithëve për mbështetjen — në ditët e mira dhe ato të vështira”, ka përfunduar Fortesa, karateistja më e mirë në Kosovë.
Fortesa edhe në vitin 2023 ka qenë protagoniste kur kombëtarja e Kosovës e fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror.