Kampioni olimpik në vitin 1984 dhe nënkampioni olimpik në vitin 1988, legjenda e mundjes Shaban Tërtena, ka treguar historinë interesante të karrierës së tij.
Tërstena ka pas rrugëtim shumë të vështirë për të arritur më maje të botës, por me punë e sakrificë ia doli, madje pa kushte dhe pa veshje të duhur sportive.
“Këtë fotografi e ndaj me buzëqeshje, por edhe me shumë kujtime, sakrifica dhe dhimbje të ëmbla.

Shaban Tërtena, viti 1984
Ju lutem mos qeshni e di që dukem si skelet!
Kjo është fotografia ime, e bërë para 41 vitesh, atëherë kur po përgatitesha për Lojërat Olimpike të vitit 1984, në Los Anxhelos”, ka sqaruar Tërstena publikimin e fotografisë së para 41 viteve.
Pse i humbi 12 kilogramë?
“Atëherë më duhej të humbisja 12 kilogramë, nga 64 në 52 kg.
Një betejë e ashpër për një djalë të ri, por me atë trup të lodhur unë në mejdan luftova si luan i vogël dhashë çdo gram forcë, deri në sekondat e fundit!
Me shpirtin tim luftarak dhe me besimin te Zoti,mposhta legjendat kampionë nga e gjithë bota!
Ata kishin kushte me palestra moderne, ne nuk kishim as kushte as palestra moderne as dysheme për t’u stërvitur!
Por ne kishim zemër, për fitore, e cila është më e fortë se çdo hekur, çdo mur, çdo pengesë!
E dini sa kushton një ëndërr olimpike?
Vetëm Zoti dhe unë e dimë.
Në një stërvitje humbisja më shumë se dy litra ujë stërvitesha katër herë në ditë,
çdo ditë derdhja dhjetë litra djersë!
Në 20 vite karriere pa u ndal asnjë ditë, nga trupi im ka rrjedhur djersë sa për të mbushur një pishinë të tërë!
Dhe sot ende e pyes veten:
Kush u pasurua nga dallgët e djersës sime?
Unë nuk mora asnjë privilegj, as përkrahje nga institucionet e asaj kohe.
Përkundrazi shumë të tjerë e përdorën mundin tim për lavdinë dhe interesat e tyre.
Por unë nuk u dorëzova asnjëherë.
Sepse një njeri që punon me shpirt, nuk mund ta mundë askush!
Unë nuk e lashë ëndrrën time të vdesë.
Në çdo dhimbje, e padrejtësi unë u forcohesha dhe ringrihesha më i fortë..
Sepse që fëmijë, kisha vetëm një ëndërr të ngjitesha në majën e Olimp-it!
Sot, në moshën 61-vjeçare, nuk jam penduar për asgjë.
Jo përkundrazi! Jam krenar.
Sepse çdo plagë, çdo pikë djersë, çdo sakrificë më ka skalitur si një luftëtar dhe si kampion i pamposhtur
Të dashur të rinj, dëgjojeni mirë këtë...
Nëse unë munda t’i përballoja ato vështirësi pa asnjë kushte, pa sallë, pa mjete, pa përkrahje atëherë edhe ju mund të arrini më lart se unë!..
Nëse keni zemër, disiplinë dhe vullnet, atëherë asgjë nuk mund t’ju ndalë edhe juve!
Ju lutem mos më urreni djersën time.
Respektojeni!
Më mirë sfidojeni, përpiquni të stërviteni ,të më kaloni me punën tuaj, me suksesin tuaj, me fitoret dhe medaljet tuaja!
Vetëm mos harroni se historia e madhe nuk shkruhet brenda natës.
Ajo ndërtohet me vite, me përkushtim, me dhimbje, me besim dhe me dashuri për të arritur sukseset e larta.
Doni ta dini çelësin e suksesit? Ja ku e keni...
Nëse do sukses duhet të punosh!
Për t’u bërë mjek duhet të mësosh!
Për t’u bërë shkrimtar duhet të mendosh me mençuri!
Për t’u bërë sportist duhet të stërvitesh pa mëshirë!..
Mos harro kurrë...
Vetëdisiplina është gjithçka!
Sa më shumë disiplinë të kesh, aq më shumë do të ngjitesh në majë e larta.
Në rininë time...
kur të tjerët flinin unë vrapoja.
Kur rrinin në kafene unë vrapoja.
Kur shkonin në disko unë përsëri vrapoja.
Vrapoja, sepse brenda meje digjej një zjarr që kërkonte fitore dhe suksese!
Dhe me atë trup të dobët, por me shpirt luftëtari, në 20 vite karrierë u bëra kampion,fitova tituj dhe shumë medalje të arta në mbarë botën”, ka shkruar kampioni olimpik në vitin 1984.