CAS ua lejoi rusëve pjesëmarrjen, por Çekia nuk do t’i lejojë të hyjnë në vend

Sporti

CAS ua lejoi rusëve pjesëmarrjen, por Çekia nuk do t’i lejojë të hyjnë në vend

Nga: B.S Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 19:54
Pamje nga një ndeshje e hokejit

Sportistët rusë nuk do të lejohen të hyjnë në Çeki, e cila në janar do të jetë nikoqire e Kampionatit Botëror të Hokejit për femra, për grupmoshën U18.

Këtë e ka konfirmuar të mërkurën ministri i Brendshëm i Çekisë, Lubomír Metnar, për televizionin çek, pavarësisht vendimit të fundit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), e cila u ka hapur rrugën përfaqësueseve ruse drejt garave ndërkombëtare.

Më 30 tetor, CAS i kishte urdhëruar Federatës Ndërkombëtare të Hokejit në Akull (IIHF) që t'u lejojë ekipeve ruse pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare, duke rrëzuar kështu ndalesën e vendosur pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Megjithatë, disa shtete janë kundër këtij vendimi, ndërsa disa përfaqësuese kanë paralajmëruar se nuk do të luajnë kundër ekipeve ruse.

Asgjë nuk ndryshon

Qeveria çeke nuk do t'u lëshojë viza sportistëve rusë.

“Sa më përket mua, asgjë nuk ndryshon. Janë ende në fuqi vendimet e qeverisë, të cilat në fakt ndalojnë lëshimin e vizave dhe pjesëmarrjen e sportistëve rusë në kampionatin tonë”, deklaroi Metnar.

Ministri u pyet edhe se çfarë do të ndodhë nëse hokeistet ruse pajisen me viza nga ndonjë shtet tjetër i zonës Schengen, ku nuk ka kontrolle të rregullta kufitare ndërmjet vendeve anëtare.

Ai bëri të ditur se ministri i Jashtëm i Çekisë tashmë i ka informuar kolegët e tij në Bashkimin Evropian për këtë çështje.

“Nëse ndodh një gjë e tillë, Ministria e Brendshme ka instrumente ligjore për ta zgjidhur këtë situatë”, paralajmëroi Metnar.

As Kanadaja nuk i lejon rusët

Çekia nuk është shteti i vetëm që nuk do t'u mundësojë sportistëve rusë pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare.

Federata Ndërkombëtare e Hokejit (IIHF) konfirmoi të dielën se Rusia nuk do të marrë pjesë as në Kampionatin Botëror për të rinj, që do të mbahet në Kanada dhe nis në fund të dhjetorit.

Arsyeja është kufizimi i hyrjes në vend, i vendosur nga qeveria kanadeze.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat