Kalendari i Kupës së Botës në skijimin e lirë dhe snowboard po vazhdon të reduktohet edhe për këtë sezon. Megjithatë, situata nuk është ende aq shqetësuese.
Disiplinat Slopestyle dhe Big Air janë mjaft të kushtueshme. Këtë po e përjetojnë edhe vetë garuesit e skijimit të lirë dhe snowboardit, të cilët në Kupën e Botës kanë gjithnjë e më pak mundësi për të dëshmuar aftësitë e tyre.
Ndërtimi dhe përgatitja me borë artificiale e pistave për Slopestyle, sikurse edhe ndërtimi i rampave të mëdha për disiplinën Big Air, kërkojnë shpenzime të konsiderueshme.
Këto të fundit, sipas Sacha Gigerit, drejtor i disiplinave të stilit të lirë në Swiss-Ski, shkaktojnë kosto që arrijnë në miliona.
Gremaud nuk është e shqetësuar
Për këtë sezon, numri i garave është reduktuar edhe më tej. Në tetë lokacione të Kupës së Botës do të zhvillohen nga katër gara për femra dhe katër për meshkuj.
Për Gigerin, ky numër është i pamjaftueshëm në disiplinën Slopestyle.
Sipas tij, do të duhej të zhvilloheshin të paktën gjashtë gara.
Megjithatë, mungesa e garave nuk është ende aq problematike këtë sezon, pasi lufta për sigurimin e normave olimpike do të rifillojë vetëm në dimrin pasardhës.
Për yllin zviceran Mathilde Gremaud, ngarkesa mbetet e lartë edhe me këtë kalendar. Ajo do të ketë paraqitje të tjera në X-Games, një prej garave më prestigjioze, e cila ka zgjeruar programin e saj.
“Për mua nuk ka aspak më pak ngarkesë apo stres nga udhëtimet”, shpjegoi dy herë kampionia olimpike.