Sinner heq dorë nga Australian Open

Tenis

Sinner heq dorë nga Australian Open

Nga: BOTA SOT Më: 26 nëntor 2026 Në ora: 14:18
Do të mungojë edhe për një periudhë më të gjatë – Jannik Sinner.

Pas lëndimit dhe operacionit, mungesa e Jannik Sinnerit do të zgjasë më shumë sesa ishte pritur. Tenisti italian do ta humbasë turneun e parë Grand Slam të vitit 2027.

Ylli italian i tenisit, Jannik Sinner, tashmë zyrtarisht ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në Australian Open, që zhvillohet në janar.

Tenisti që aktualisht renditet në vendin e dytë në botë, këtë javë iu nënshtrua një operacioni në gjurin e djathtë,

në një klinikë në Finlandë. Për këtë arsye, ai do ta humbasë turneun e parë Grand Slam të vitit, i cili nis më 17 janar.

Sinner nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje që nga triumfi i tij i dytë në Wimbledon, në muajin korrik.

“Ne kemi qenë në kontakt të rregullt me ekipin e Jannikut dhe na është konfirmuar se, pas operacionit të fundit, ai nuk do të jetë pjesë e Australian Open në janar”, deklaroi Andrew Abdo, drejtues i Federatës Australiane të Tenisit, për agjencinë e lajmeve AFP.

Mungesën e rivalit të tij e ka komentuar edhe spanjolli Carlos Alcaraz.

“Botës së tenisit i mungon ai. Më mungon edhe mua”, shkroi tenisti që aktualisht renditet në vendin e tretë në botë, përmes rrjeteve sociale.

Sinner e kishte fituar titullin e tij të parë Grand Slam në vitin 2024, pikërisht në Australian Open, ku në finale kishte mposhtur Daniil Medvedevin.

Një vit më vonë, ai kishte mbrojtur me sukses titullin, duke triumfuar në finale ndaj Alexander Zverevit.

Ndërkaq, në edicionin e këtij viti, Sinner ishte eliminuar në gjysmëfinale nga Novak Gjokoviq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat