Ka ndërruar jetë Dren Aga, djali i trajnerit të njohur të basketbollit në Kosovë, Dervish Aga.
Lajmi është bërë i ditur nga tifogrupi “Arpagjik’t” i Prizrenit.
Një lajm i hidhur për prizrenasit dhe, në përgjithësi, për komunitetin e basketbollit në Kosovë, por edhe më gjerë.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Dren Agës.
Dreni njihej për dashurinë ndaj Prizrenit dhe klubeve të qytetit, si dhe për përkrahjen e pashoq ndaj tifogrupit Arpagjik't Prizren.
Lidhje të veçantë kishte me KB Bashkimin, ku kaloi një pjesë të madhe të jetës së tij, duke ndjekur si trajner hapat e babait të ndjerë, trajnerit të mirënjohur Dervish Aga.
Përtej dashurisë për sportin dhe qytetin, Dreni jetonte çdo ditë me idealin e bashkimit të trojeve shqiptare, duke mbajtur gjallë ëndrrën e tij të madhe për një Shqipëri Natyrale të bashkuar, siç e thoshte shpesh edhe vetë.
Në këto çaste të rënda, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njihnin.
Bashkëndjejmë dhimbjen tuaj!
U prehsh në paqe, Dren!”, thuhet në njoftimin e ‘Arpagjik't Prizren’.