Kombëtarja e basketbollit të Sllovenisë ka marrë një goditje të papritur në prag të vazhdimit të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2027.
Përzgjedhësi i deritashëm, Aleksandar Sekuliq, do të largohet nga kjo detyrë, pasi Barcelona nuk i ka lejuar që të vazhdojë njëkohësisht angazhimin te klubi katalunas dhe në kombëtaren e Sllovenisë.
Lajmin e ka konfirmuar zyrtarisht Federata e Basketbollit të Sllovenisë, e cila ka reaguar menjëherë duke emëruar Domen Zhjevnikun si përzgjedhës të përkohshëm. Ai do ta drejtojë përfaqësuesen deri në përfundim të ciklit kualifikues për Botërorin në Katar.
Zhjevnik do të ketë shumë pak kohë për përgatitjen e skuadrës, pasi debutimin në stolin e Sllovenisë do ta bëjë që këtë të premte, në ndeshjen që zhvillohet në Celje kundër Finlandës. Tri ditë më vonë, sllovenët do të luajnë në udhëtim ndaj Hungarisë.
Ndryshimi i përzgjedhësit vjen në një moment të ndjeshëm për Slloveninë, e cila pas tetë ndeshjeve të zhvilluara në Grupin L ka regjistruar katër fitore dhe katër humbje. Bilanc të njëjtë kanë edhe rivalët e saj, Suedia dhe Hungaria.
Për këtë arsye, rezultatet pozitive në ndeshjet e ardhshme janë të një rëndësie të veçantë për Slloveninë, në mënyrë që të ruajë gjasat për kualifikim në Kampionatin Botëror.