Një shkrim, dy rrëfime: një Teatër, një shfaqje

Teatri

Një shkrim, dy rrëfime: një Teatër, një shfaqje

Nga: Bajram Sefaj Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 12:19
Isabelle Bosson dhe Didier Carrier, në një skenë të komedisë “Central Park West”

(Teatri e ka emrin “Le Crève Ceur”, kurse shfaqja mban titullin “Central Park  West”, kreacion i Woody Allen-it!).

Nuk e di (nuk kam informacion) se cili është dhe ku ndalet saktësisht, numri i gjithmbarshëm i shtëpive teatrore në Gjenevën e Zvicrës. Në anën tjetër, jam i sigurt se në territorin e ngushtë, në thelbin e këtij qyteti të bukur, shtrihet në të dy anët e Liqenit Léman, me shatërvanin Jete d’au (ujë hedhësin!) emblemë, ka shumë shtëpi, të mëdha e të vogla, teatrore. Kësaj radhe, provoj që, më pak fjalë (të zgjedhura!) të sjell një informatë më të shkoqitur, më përimtuese, mbi teatrin “Le Crève Ceur” (Zemër-thyes, a kështu disi, në përkthim të lirë!). Është aq i vogël sa që, e mundur, të mos e njoh as opinioni më i gjerë publik i Gjenevës. Pos atyre që artin teatror e pëlqejnë, e admirojnë  dhe, e ndjekin ku është e ku s’është, hap pas hapi.

Nuk kisha njohuri për të, po të mos më binte në dorë (falë rrethanave fatlume!), një copë letre, (një mini afishe xhepi) me emrin e njujorkezit  e Woody Allen. Lindë në New-York më 1935. Emër i kumbueshëm dhe i njohur në botën mbarë si realizues, skenarist, aktor, laureat i madje katër çmimeve Oskar. Woody Allen, po ashtu, është autor pjesëve teatrore dhe novelave. Një nga ato (shumë) pjesë teatrore, komedinë e tij të njohur me titull “Central Park  West” (Parku Qendror Perëndimor), do ta luaj sonte Teatri Zemër-thyes i Gjenevës, kur është “personazh” i njërës pjesë së paralajmëruar që në titull të këtij shkrimi. Përfillet renditja (itinerari) e rrëfimit!

Pak fjale për teatrin vetë...

 Teatri “Le Crève Ceur” gjendet  në skaj, për të mos thënë në periferi, të Gjenevës. Në  rrugën e frekuentuar dendur. Në krahun e majë të liqenit  Léman. Në një lagje të njohur e shik! Të Gjenevës. Ndalet pikërisht aty, në atë pikë vrojtimi, ku ndalën më mijëra e mijëra vizitorë, vendës dhe të huaj. Dashamirë të shumtë të këtij qyteti, shtegtarë e vizitorë nga të ketër anët botës. Kur bëjnë rrugë të gjatë, e vijë këtu, për të kaluar çaste të bukura në këtë qytet të bukur e fotozhenik. Me liqenin kaltërosh dhe shatërvanin gjigant në mes. Që, natë e ditë, tremb ujin e për ta nisur  drejtë qiellit me shumë blu, mbi Gjenevë.

Pas pak çastesh, trokas në dyert e këtij tempull miniatural të artit skenik. Shqetësimi nënkuptohej vetvetiu. Kur guidi im besnik (fidel), më fund, thotë: ja arritëm!

Image
Afishja e shfaqjes në fjalë, me portretin e (krye)aktores zonjës, Isabelle Bosson

Gati sa nuk i besova as atij, as syve të mi të lodhur. Ngrehina nuk ngjasonte më asnjë ndërtesë teatrore që kam parë, e vizituar, deri me sot. Ishte një shtëpi, a vilë, më madhe se zakonisht. Asgjë më shumë!

Mezi prisja të hapen dyert, si të mistershme, të këtij tempulli të Talisë!

Në atë hapësirë të ngushtë, në shikim të parë, çdo pjesë të anatomisë së trupit të një teatri të mirëfilltë, ishte në vend të vetë. Në rend të parë, ishte bufeja, ajo paradhomë e rëndësishme dhe e domosdoshme për çdo teatri. Që hapë dyert e mirëseardhjes për mysafirët dhe aderuesit e artit teatral. Çdo gjë aty ishte në vendin e vet. Atmosfera (intime) ishte në rend të parë. Ajo ishte plot art, teatral, kësaj radhe. Çdo skutë e zgjiç i saj, rafte e tryeza, ishin përplot me libra e publikime të ndryshme. Me gazeta e revista. Me materiale të ndryshme informative. Mbi atë që ka ndodhur aty ndërkohë dhe, mbi atë që do të ndodhë në ditët që vijnë të kësaj stine (këtij sezoni) teatror. Muret e bufesë ishin të veshura (kryekreje) me afishe të shfaqjeve që kishin kaluar këndejpari dhe të atyre të do të vinë në ditët e afërme. Në një tryezë të gjerë, si shpend krahëbardhë,  ishte libri q            ë do t’i mbledhë dhe do t‘i ruaj përshtypjet  dhe opinionet e thukëta të klientëve të përhershëm dhe të atyre të rastit, si puna ime. Aty, ishte edhe bufet-i (shanku), me asortiment të pasur pijesh të ndryshme që servirën, para dhe pas, shfaqjes së radhës.

Shfaqja fillon...  

Kur ra ora saktësisht 20, i erdh vakti shfaqjes. (Place aux jeu!), sikurse thonë francezët. 

E para, në skenën e hapjes shfaqet zonja Isabelle Bosson. Në kryerol. Atë të  Phillys. Bashkë me të sikur aty erdhi tërë teatri. Skenën (jetën) e mbushi art! Ajo ishte një primadonë e shkuar saj. Një mbretëreshë lapidare e skenës në gjithë kuptimin më të gjerë të fjalës. E sprovuar në shumë skena gjithandej dhe në interpretim të roleve e të gjitha zhanreve. Fill pas saj, në skenë paraqitën, njëri pas tjetrit, bartësit e roleve: Nathalie Boulin (Carol,  Didier Carrier, kur është edhe regjisor i shfaqjes, luan rolin e Howard-it, Juan Crespillo (Sam) dhe Léa Déchamboux (Juliet). Derisa të gjithë të tjerët janë aktorë profesionistë e më përvojë të gjatë, kush më shumë e kush më pak, eksperiencë, aktorja më re, Léa Déchamboux, ishte fillestare (debutante). E sapo prodhuar në Dramaturgji. Në hapat e saj të parë të karrierës. Sado që interpreton një rol të vogël episodik, pikërisht është ajo që e shkrep pistoletën në drejtim të Samit (Juan Caspillo) dhe e plagos atë në vend të keq. Derisa ai i frikësuar gjer në palcë, e lutë Juliet-ën t’ia fale jetën duke i thënë ça vas, ça vas  (në rregull, në rregull!), ish gruaja e tij Phillys (Isabelle Bosson),  e inatosur në ish burrin e saj të ligë e të pa besë, me ironi i thotë: në rregull, në rregull është, në rregull, me një plumb në bythë!

Ndrojtja se si do t’ia dalë kjo trupë, relativisht e vogël, përballë tekstit bravuroz dhe të ngatërruar të komedisë së Woody Allen-nit  “Central Parc West”, të cilën, për në qime të kresë, sa nuk e shndërroi në tragjedi, aktorja e re Léa në rolin e personazhës Juliet, u treten sakaq. Duartrokitjet e gjata të spektatorëve të entuziazmuar, mbuluan dhe zhdukën çdo dilemë.

Derisa minutat e kësaj shfaqjeje, rridhni anës së djathtë të Liqenit Léman, nuk dihej, me tamam, sa kohë zgjati, por fitohej përshtypja së koha, si të kishte ikë në krahët e disa minutave të vetëm. I tretur në ëndrrën me sy hapur. Eh, sikur këtë komedi të njohur të krijuesit (polivalent) amerikan, Woody Allen, po me këta aktorë, po me këtë regji, ta shikoja në Prishtinë. Tok me bashkëqytetarët e mi. Dhe, anasjelltas, sikur po në këtë teatër dhe po në këtë skenë, t’i shoh aktorët (e mi) nga Prishtina, që aq mirë i njoh!

E mundur kjo. Pse jo. Kërkohet vetëm vullneti i mirë dhe ndërmjetësimi  dyanësor. Këtë ide nuk ua shfaqa as regjisorit Didier, as aktorëve, as aktores kryesore, zonjës Isabelle Besson. S’kisha (kredi) autorizimi për ndërmjetësim, nga askush, nga ana e asnjërës  palë. Kësaj radhe u kënaqa me kaq.  Ua urova, me gjithë respekt të thellë, suksesin dhe, aty për aty, premtova se do të përpiqem që, në shtypin shqiptar, të shkruaj dhe botoj, një tekst (përmbledhës),  un petit mot, edhe për teatrin edhe për shfaqjen bashkë. Eu, sa mirë u erdhi, o zot, për këtë tekst modest që do të zbardhet në faqet e shtypit shpatar, natyrisht në gjuhën shqipe që nuk e kuptojnë. Ani s’ka gjë, do të përkthejmë në gjuhën frënge, me thanë njëzëri, bashkë me porosinë, si në kor, numrin e gazetës se asaj dite, t’ua sjelli unë, ose, pa merak, do ta gjejnë ata vetë!

Zonjës Isabelle Bosson, nuk mund u durova pa i thënë se ishte e mrekullueshme, bile edhe më e mirë se Diane Keaton vetë, e ditëve të saj me të mira! Ajo ma ktheu shkurt: mos e harroni premtimin!

Pas përshëndetjes së përzemërt  dhe ndarjes se, reflektova e thash: sa gëzim u solli ky premtim imi i gjorë që, kushedi a do të realizohet. Si të ishte fjla për një kritik të famshëm, për një gazetë te njohur, të një gjuhë të madhe.  Njerëzit, aktorët në këtë rast, sa më të ngritur e të ditur që janë, aq me shumë e më mirë, ia dinë velën fjalës së shkruar publike, pa marrë parasysh se në ç’gjuhë e në ç’gazetë, botohet.

 Krejt kjo krejt varet nga koshienca, vetëdija, mirëkuptimi, përgjegjësia dhe profesionalizmi i reaktorit të radhës, atje në Prishtinën time!        

Letër miqësore, redaktorit, redaksisë!

Këtë tekst timin modest, mundësisht e botoni, në letër, në gazetë dhe për ditën e botimit, me informoni. Shkoj në Gjenevë, i bie në fije Botës, i marrë, sa ekzemplarë të jenë, dhe ua dorëzoj artistëve. Duke llogaritur në mirësinë, kolegjialitetin dhe në profesionalizim tuaj, kolegë të mi më të ri, atyre atje në Gjeneve, u premtova dhe u zotova! Pres përgjigje nga ju, miq të nderuar!

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat