Elezaj: Fushë Kosova synon të futet në play-off

Volejboll

Elezaj: Fushë Kosova synon të futet në play-off

Më: 28 janar 2021 Në ora: 19:47

Fushë Kosova po ndihet më rehat, pasi që po stërviten në palestrën e qytezës së tyre, e cila është renovuar ditë me parë! 

Vashat e Fushës Kosovës synojnë që të përgatiten sa më mirë dhe të arrijnë rezultate të mira në Superligën A.  

Fushë Kosova përfundoi në vend të pestë me 13 pikë në pjesën vjeshtore. 

Image

Trajneri Istref Elezaj, tha se rrjedha e stërvitjeve po shkon mjaft mirë dhe po përgatiten për sfidat pranverore, që nisin me 13-14 shkurt. 

Ai është i lumtur që në ekip pas lëndimit është kthyer edhe volejbollistja Ardita Jashari.  

“Fushë Kosova i  ka filluar stërvitjet me 18 janar, ekipi është bashkuar qysh në stërvitjen e parë. Vlen të theksohet se këtë sezon klubi ka ndryshime edhe në përbërje edhe në organizim. Kushtet për stërvitje janë shumë të mira pasi që Kuvendi Komunal e ka renovuar edhe palestrën e sporteve, pikërisht si mbështetje për klubin tonë që më së miri po e përfaqëson qytetin. Atmosfera në klub është shumë e mirë, është rikthyer nga lëndimi edhe Ardita Jashari.

Image

Jemi në përfundim të përgatitjeve fizike, të cilat për shkak se shumë shpejtë do të fillon pjesa pranverore, i kemi kombinuar me përgatitje tekniko-taktike. Klubi pas rezultateve të kampionatit të kaluar si dhe suksesit të sezonit të parë ku u renditem ndër 6 ekipet më të mira të Superligës, është shumë i motivuar edhe për suksese të reja, përkundër që jemi në situatë pandemie dhe kufizimeve të mëdha buxhetore”, tha Elezaj për gazetën kombëtare “Bota spt”.  

Synimet e Fushës Kosovës janë mjaft të mëdha.
“Synimet e klubit për pjesën e dytë të kampionatit janë që të futemi në play-off, pasi që konsiderojmë që e kemi fondin e lojtareve dhe kualitetin për brenda ekipit që të shfaqim lojë të mirë, përkundër një konkurrence super të fortë.

Lojtaret janë të gjitha vendore dhe të reja, por të gjitha janë të motivuara për suksese të reja. Klubi është i fokusuar në punën me gjeneratat e reja, rritja e fondit të lojtareve si dhe ngritja e nivelit përbrenda grupit aktual, andaj as mundësitë financiare nuk janë që të përforcohemi nga jashtë, kështu kemi vendosur që si grup të funksionojmë në mënyrën më të mirë dhe të vazhdojmë të bëjmë krenare qytetin”, shprehet Elezaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat