Feime Shala: Të shërohen nga sëmundja e posteve, kapjes së Federatës, ekipeve...

Volejboll

Feime Shala: Të shërohen nga sëmundja e posteve, kapjes së Federatës, ekipeve...

Nga: Kemajl Goca Më: 30 korrik 2022 Në ora: 18:29
Feime Shala

Ish volejbollistja e mirënjohur, Feime Shala, i dha shumë volejbollit dhe sportit, sidomos në vitet më të rënda, në kohën e okupimit, në rezistencë kundër regjimit serb.

Feimja edhe sot mbahet mendja si një luftëtare e madhe në fushën e  lojës, me një teknik të përsosur.

Ajo ka luajtur për Dritën e Gjilanit, në pozitën e pranueses dhe korrektores, po ashtu ka qenë reprezentuese e Kosovës, sot një kalibër si Feimja i mungon vendit tonë.

Image

Feimja kritikon ashpër, thotë se nuk ka cilësi volejbolli i Kosovës, nuk ka gjatësi, lojtaret e jashtme janë veç për nivel Kosove dhe për asgjë tjetër. Po ashtu tregon pse nuk e përcjell sportin skofiar të Kosovës dhe ku jeton aktualisht.    

“Bota sot”: Ku gjendet tash e një kohë Feime Shala?

Feime Shala: Nga viti 2006 jetoj në Zvicër.

“Bota sot”:  Sa po e përcillni volejbollin e Kosovës?
Feime Shala:
Deri në vitin 2017 e kam përcjell gjatë gjithë kohës edhe pse nuk kam qenë prezente në Kosovë, por nga 2017 nuk e përcjelli aspak volejbollin e Kosovës, arsyet janë të shumta. Por e përcjelli ligën e Italisë, Gjermanisë etj.

 “Bota sot”: A planifikon të kthehesh si trajnere në Kosovë?

Feime Shala: Ndoshta me herët ka qenë tek unë kjo dëshirë por tani jo.

“Bota sot”: Çfarë duhet bërë për të rritur nivelin e volejbollit në Kosovë, në konkurrencën e femrave?

Image

Feime Shala: Për të rritur nivelin në volejboll, së pari duhet që me volejboll të merren njerëz profesional dhe të punohet me të rinjtë, shkolla të volejbollit.

 “Bota sot”: A mendoni se iu jepet hapësirë e duhur ish volejbollisteve të dëshmuara apo po lihen anash që të punojnë në klube dhe në kombëtare të Kosovës?

Feime Shala: Unë mendoj jo sa duhet, por edhe aty ku ju është dhënë rasti janë bërë për interesa personale jo për volejbollin.

“Bota sot”: A mendoni se volejbolli në kohën tuaj ka pas më shumë cilësi se tani, apo është e kundërta me kohën e sotme në Ligën e Kosovës?

Feime Shala: Unë mendoj se volejbolli në kohën time ka pas shumë cilësi, edhe pse volejbolli ka pësuar ndryshime unë nuk shoh tani cilësi. 

“Bota sot”: I takoni gjeneratës së sakrificës, në vitet e 90-ta, në rezistencë ndaj Serbisë, ju kujtohet ndonjë moment i sikletshëm?

Feime Shala: Pas pavarësimit të sportit nga Serbia ka qenë një periudhë e rënde kur volejbolli luante në kushte të vështira, në hapësira të hapura, xhirot e kampionatit i zhvillonte brenda ditës.

Image

Në një vend diku në rrethin të Ferizajt erdh policia serbe, na arrestuan me dyshim se ishte tubim politik, aty ishin edhe krerët e Federatës së Volejbollit të Kosovës. na arrestuan dhe na mbajtës 3-4 orë në stacionin policor në Ferizaj dhe kinse mbas verifikimit se nuk ishte tubim, na liruan, kjo ka mbet në kujtesën time prej asaj kohe.

“Bota sot”: A keni pasur ofertë për të drejtuar ndonjë klub apo edhe për të udhëhequr kombëtaren e Kosovës?

Feime Shala: Jo nuk kam pas. Por në vitin 2016-2017 isha nënkryetare në FVK. Kyqja në Federate ishte gjë e duhur se e pash nga afër se çka ndodh aty dhe si zhvillohen të gjitha punët. Në vitin 2017 së bashku me 6 anëtar të Federatës u tërhoqëm dhe ky ishte vendimi im i duhur .

“Bota sot”: Çfarë iu lë përshtypje tani në volejbollin tonë dhe cilat janë ato veti që ia vret syrin, që duhet të përmirësohen?

Feime Shala: Nuk kisha me fole për përshtypje se nuk e përcjelli, por ajo që me vret syrin është se nuk ka gjatësi. Sa i përket ligës në Kosovë munden ta zhvillojnë kampionatin kështu si janë por nëse mendojnë të zhvillojnë ndeshje jashtë Kosovës duhet të mendojnë ndryshe.

“Bota sot”: Tani kemi shumë lojtare të huaja në klube, paguhen mirë por që nuk po shënojnë fitore në Kupat Evropiane. Përforcime të gabuara?

Feime Shala: Unë mendoj që janë të mira për ligën e Kosovës jo më shumë, por e ceka më herët nëse mendojmë të luajmë në kupa evropiane, kampionate evropiane etj. duhet të mendojmë ndryshe, jo t’i marrin nga jashtë lojtare aq sa kanë mundësi jo dy ekipe të Superliges por t’i mbledhin lojtaret më të mira nga të gjitha ekipet e ligës së Kosovës dhe të garojnë mes veti.

“Bota sot”: Si ikonë e volejbollit, cili është mesazh për klubet dhe volejbollistet?  

Feime Shala: Porosia ime është që së pari të gjithë ata që merren me sport, të shërohen nga sëmundja e posteve, përfitimeve jo punës, interesave personale, kapjes së Federatës, ekipeve... Dhe të merren me të rinjtë profesionist dhe të ketë kritere.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat