Grumbullimi i parë zyrtar për kombëtaren U16 të Kosovës

Volejboll

Grumbullimi i parë zyrtar për kombëtaren U16 të Kosovës

Më: 15 maj 2025 Në ora: 15:28
Foto e përbashkët

Është zhvilluar grumbullimi i parë zyrtar për kombëtaren U16 të Kosovës në volejboll (vajzat), ku morën pjesë afër 80 lojtare të reja nga e gjithë Kosova. 

“Në këtë fazë fillestare u realizuan testime të plota antropometrike, fizike dhe teknike, duke i dhënë stafit teknik një pasqyrë të qartë mbi potencialin e vajzave pjesëmarrëse.

Bazuar në rezultatet e këtyre testimeve, stafi do të përzgjedhë 40 lojtare, me të cilat do të nisë shumë shpejt një program përgatitor 40-ditor në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Evropian ‘CEV U16W 2025’, që do të mbahet nga data 2 deri më 13 korrik në Prishtinë dhe Tiranë.

Programi përgatitor do të zhvillohet në katër faza:

 1. Vlerësim dhe ndërtim i bazës fizike
 2. Ndërtim teknik-taktik
 3. Zhvillim përmes ndeshjeve miqësore
 4. Përgatitje specifike për garë

Objektivi kryesor i këtij programi është ndërtimi i një ekipi konkurrues që do ta përfaqësojë me krenari Kosovën në arenën evropiane. 

Kujtojmë se Kosova është pjesë e Grupit II së bashku me Kroacinë, Hungarinë, Çekinë, Greqinë, Malin e Zi, Slloveninë dhe Turqinë.

Kampi po udhëhiqet nga Lorik Ilazi, i asistuar nga trajnerët Ylli Kadriu e Blendi Haxhikadrija, si dhe Albin Rexhepi (statistikë), e poashtu dhe nga koordinatori i kombëtares U16 Naser Krasniqi.

Mbështetje të madhe për këtë projekt kanë dhënë edhe të gjithë trajnerët e skuadrave të Superligës, të cilët janë duke qëndruar pranë kampit përzgjedhës, duke kontribuar me përvojën e tyre në procesin e përgatitjes.

Grumbullimin e vajzave e vizituan edhe kryetari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, z. Bahri Gjinovci, së bashku me nënkryetarët Valon Xhafaj dhe Emine Ramadani Reka, të cilët u shprehën të impresionuar me pjesëmarrjen dhe entuziazmin e vajzave, si dhe ritheksuan përkushtimin institucional për ta mbështetur këtë ekip drejt suksesit në EuroVolley 2025”, njofton FVK.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat