Dyshja e vajzave fiton titullin kontinental

Volejboll

Dyshja e vajzave fiton titullin kontinental

Më: 7 gusht 2025 Në ora: 19:30
Vieira dhe Alinë Shamero

Nuk kanë vetëm gjigandin e boksit, Oleksandër Usik. Ukraina po ashtu nuk shkëlqen vetëm në atletikë, me rekordmenen botërore të kërcimit së larti, Jaroslava Mahuçik.

Vendi i madh europian, që prej më shumë se 3 vitesh ndodhet në luftë për shkak të sulmit të Rusisë, arriti një tjetër kulm në sport, këtë herë në volejboll.

Skuadra kombëtare ukrainase, e përbërë nga dy lojtare, fitoi titullin kampion të Europës në volejbollin në plazh, në turneun e mbajtur në Dyseldorf të Gjermanisë.

Kjo ndodh për herë të parë. Kampionet e reja janë Marina Hladun dhe Tetiana Lazarenko, të cilat fituan në finale ndaj dyshes së Francës, të përbërë nga Klemensë Vieira dhe Alinë Shamero.

Rezultati I finales ishte 2-1, dhe setet u ndanë pas një lufte të ashpër me shifrat 21-23, 21-18 dhe 16-14.

Në gjysmëfinale, dyshja ukrainase, Hladun e Lazarenko, fitoi ndaj Gjermanisë, që ishte skuadra vendase dhe kampionia në fuqi e Europës.

Suksesi ishte I madh, pasi është I pari titull europian për Ukrainën në volejbollin e plazhit, për meshkuj e femra.

Femrat kishin arritur më parë deri në të tetat e finaleve, ndërsa djemtë kishin fituar një medalje bronzi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat