Në ndeshjen e dytë të ditës së parë të Kupës së BVA-së 2025 për femra, e zhvilluar në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj, ekipi malazez OK Herceg Novi mposhti skuadrën gjilanase KV Drita me rezultat 3:0 (25:22, 25:7, 26:24).
Drita e nisi mirë ndeshjen, duke zhvilluar një set të parë të luftuar dhe me atmosferë të zjarrtë nga tribunat. Megjithatë, përvoja e skuadrës malazeze bëri diferencën në pikat vendimtare, duke i dhënë setin e parë Herceg Novit me rezultat 25-22.
Në setin e dytë, ekipi mysafir dominoi plotësisht me lojë të disiplinuar dhe bllok të fuqishëm, duke mos i lënë hapësirë Dritës për reagim. Herceg Novi shënoi fitore të thellë 25-7, duke kaluar në epërsi 2-0.
Seti i tretë solli më shumë emocion, me Dritën që riktheu intensitetin dhe luftoi për çdo pikë.
Vendaset ishin afër ta çonin ndeshjen në setin e katërt, por skuadra nga Mali i Zi mbeti e ftohtë në momente vendimtare dhe e mbylli takimin 26-24, duke regjistruar fitoren e parë në turne.
Sot, KV Drita do të përballet me Fit Fun Volley nga Maqedonia e Veriut, në përpjekje për të arritur fitoren e parë në këtë edicion të Kupës së BVA-së.