Ganimete Gërbovci: KV Prishtina F po ringrihet me shumë vullnet

Volejboll

Ganimete Gërbovci: KV Prishtina F po ringrihet me shumë vullnet

Më: 13 nëntor 2025 Në ora: 15:23
KV Prishtina F - senioret

Kryetarja e klubit të volejbollit Prishtina F, Ganimete Gërbovci, në një intervistë flet për sfidat, synimet dhe vështirësitë që po kalon klubi kryeqytetas.

Ajo thekson se pavarësisht pengesave dhe padrejtësive, skuadra po punon me përkushtim për t’u rikthyer aty ku i takon – në majat e volejbollit të Kosovës.

“Bota sot”: Si e vlerësoni aktualisht pozitën dhe zhvillimin e KV Prishtina F? 

Image

KV Prishtina F - të rejat

Ganimete Gërbovci: KV Prishtina F është në një fazë ringritjeje.

Kemi pasur sfida të mëdha viteve të fundit, por po punojmë me përkushtim për ta kthyer klubin aty ku i takon. 

Image

Pamje nga stërvitja

Kemi ndërtuar një grup të ri lojtareve me shumë potencial dhe besoj se me kohë do të arrijmë stabilitet dhe rezultate më të mira.

“Bota sot”: A ka pasur rritje të nivelit të volejbollit në Kosovë vitet e fundit?

Ganimete Gërbovci: Po, në disa aspekte po shihet përparim, veçanërisht në angazhimin e klubeve për punë me të reja dhe në pjesëmarrjen më të gjerë në gara.

Megjithatë, niveli i përgjithshëm ende nuk është aty ku duhet. Ka mungesë investimesh, infrastruktura është e kufizuar dhe ndihma institucionale nuk është në nivelin që kërkon një sport ekipor si volejbolli.

“Bota sot”: Cilat janë objektivat e ekipit tuaj në Ligën e Parë të Kosovës për këtë sezon?

Ganimete Gërbovci: Synimi ynë kryesor është që të stabilizohemi në Ligën e Parë dhe të krijojmë një bazë të fortë për t’u kthyer në Superligë.

Duam të afirmojmë lojtaret e reja, t’u japim hapësirë, dhe të ndërtojmë një ekip që lufton me dinjitet për çdo pikë. Ne nuk mendojmë vetëm për sot, por për të ardhmen e klubit.

“Bota sot”: Së fundi është përmendur një rast i falsifikimit të dokumenteve të ekipit tuaj – si e komentoni këtë situatë?

Ganimete Gërbovci: Ajo çfarë ka ndodhur është e pafalshme dhe e dëmshme për sportin në përgjithësi. Ne si klub jemi dëmtuar padrejtësisht dhe kemi reaguar me dokumente zyrtare.

Kërkojmë që institucionet e volejbollit ta trajtojnë këtë rast me seriozitet maksimal, sepse nëse tolerohen raste të tilla, atëherë humb kuptimin vetë gara sportive.

“Bota sot”: A mendoni se në volejbollin e Kosovës ekziston ende padrejtësi apo trajtim i pabarabartë mes ekipeve?

Ganimete Gërbovci: Mendoj që ekzistojnë mekanizma të mjaftueshëm që vlerësojnë a ka padrejtësi apo jo! Andaj, nuk me takon mua të jap ndonjë opinion për këto çështje.

“Bota sot”: Cila është brenga juaj më e madhe si kryetare e KV Prishtina F?

Ganimete Gërbovci: Brenga ime është se shumë vajza të talentuara po heqin dorë nga sporti për shkak të kushteve të vështira, mungesës së përkrahjes dhe padrejtësive.

Është e dhimbshme të shohësh që pasioni nuk mjafton kur mungon përkrahja e duhur.

“Bota sot”: A besoni se KV Prishtina F do të arrijë të rikthehet shpejt në majat e volejbollit kosovar, aty ku e ka vendin historikisht?

Ganimete Gërbovci: Po, unë besoj fuqishëm në këtë.

Prishtina ka traditë, emër dhe shumë dashuri për sportin. Me punë të ndershme, me një ekip që beson në vlera, dhe me pak më shumë përkrahje, unë jam e bindur se do të rikthehemi aty ku e kemi vendin – në elitën e volejbollit të Kosovës.

Kush është Ganimete Gërbovci?

Ganimete Gërbovci është një nga sportistet më të njohura të volejbollit në Kosovë, e cila për më shumë se dy dekada si volejbolliste ka lënë gjurmë të thella në historinë e këtij sporti. Ajo është njohur si një ndër pasueset më të mira që ka pasur ndonjëherë Kosova, duke u vlerësuar nga trajnerë, njohës të sportit dhe ish-lojtare si një figurë model në fushë e jashtë saj.

Karriera si lojtare

Gërbovci filloi rrugëtimin e saj sportiv në periudhën e paraluftës, në një kohë kur volejbolli në Kosovë ishte në kohë mbijetese dhe në rezistencë ndaj regjimit serb.

Që në moshë të re, ajo u dallua për teknikën e lartë, saktësinë në pasime dhe përkushtimin profesional.

Ajo luajti për disa klube të njohura të volejbollit në Kosovë, duke fituar me to tituj kampioni dhe Kupa të Kosovës.

Me kalimin e viteve, u bë një prej lojtareve më të rëndësishme të ekipeve të saj dhe një shtyllë e përfaqësueses së Kosovës në turne ndërkombëtare.

Eksperienca jashtë vendit

Për një periudhë, Gërbovci zhvilloi karrierën edhe në volejbollin italian, duke fituar përvojë të vlefshme profesionale.

Kjo përfshirje në një kampionat të zhvilluar i dha asaj mundësinë të njohë metodologjitë bashkëkohore të stërvitjes dhe organizimit sportiv, të cilat më pas i solli në Kosovë me përkushtim.

Puna profesionale dhe arsimimi

Pas përfundimit të karrierës aktive si lojtare, ajo nuk u largua nga sporti.

Përkundrazi,

Gërbovci u përkushtua në fushën akademike dhe menaxheriale të volejbollit. Ajo është magjistër e volejbollit, një titull që e ka fituar përmes studimeve të avancuara në fushën e shkencave të sportit.

Në vitet e fundit, ajo ka qenë e angazhuar në drejtimin e Klubit të Volejbollit “Prishtina” (femra), duke punuar për ngritjen e këtij klubi në nivele më të larta dhe për krijimin e një ambienti profesional për gjeneratat e reja të volejbollisteve.

Si lojtare, trajnere dhe drejtuese, Gërbovci është shquar për disiplinën, përkushtimin dhe profesionalizmin. Ajo ka kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe organizimit të volejbollit femëror në Kosovë, duke u bërë një zë i rëndësishëm për zhvillimin e sportit të femrave në vend.

Për njohësit e sportit, Ganimete Gërbovci mbetet pasuesja më e mirë në Kosovë gjatë 25 viteve të fundit, një vlerësim që përmbledh jo vetëm talentin e saj në fushë, por edhe ndikimin e saj në zhvillimin e volejbollit të Kosovës. BS.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat