Kombëtarja U18 e Kosovës në volejboll po i vazhdon përgatitjet dhe grumbullimin në prag të Kualifikimeve të Kampionatit Evropian CEV U18 2026, që do të zhvillohen nga 3 deri më 7 janar 2026 në Podgoricë të Malit të Zi, në palestrën SC Verde.
“Nën udhëheqjen e përzgjedhësit Darko Prebiraçeviç, dhe me ndihmën e trajnerëve Ermal Maliqi, Elmi Zymeri dhe Naim Gucati, ekipi kombëtar është duke punuar intensivisht në aspektin teknik, taktik dhe fizik, me synimin që të jetë sa më i përgatitur për sfidat evropiane që e presin.
Grumbullimi dhe seancat stërvitore po zhvillohen në Kosovë, ku Kombëtarja do të qëndrojë dhe do t’i vazhdojë përgatitjet deri më 2 janar, përpara nisjes drejt Podgoricës, ku do të zhvillohet turneu kualifikues.
Sa i përket kalendarit të ndeshjeve, Kosova do ta nisë garën më 3 janar me përballjen ndaj Rumanisë, për të vazhduar më 4 janar kundër Malit të Zi, ndërsa më 5 janar e pret sfida ndaj Turqisë.
Pas fazës së grupeve, më 6 dhe 7 janar janë të planifikuara ndeshjet e fazës përfundimtare, varësisht nga renditja e ekipeve.
Pjesëmarrja në këto kualifikime përbën një moment të rëndësishëm për zhvillimin e volejbollit të të rinjve në Kosovë, duke u dhënë lojtarëve mundësinë të përballen me konkurrencë të fortë ndërkombëtare dhe të fitojnë përvojë të çmuar për të ardhmen”, njofton FVK.