Kampionati kombëtar i volejbollit për meshkuj ka hapur dje fazën e dytë, duke dhuruar menjëherë një përballe elekterizuese, derbin ndërmjet Partizanit dhe Tiranës.
Të kuqtë e Ylli Tomorrit fituan me rezultatin e pastër 3-0, për t’u hakmarrë për humbjen e fazës së parë, disfata e vetme në kampionat ta.
Përballja e zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” foli për Partizanit, me kampionët në fuqi që i mbyllën llogaritë e takimit për 1 orë e 24 minuta. Seti i parë e pa Partizanin përpara nga fillimi e deri në fund, fraksion që u mbyll 25-18.
Bardheblutë e Arben Sakos u përmirësuan në setin e dytë, duke kryesuar vazhdimisht deri në shifrat 16-19, por u ndalën më momentin më të rëndëishëm, me Partizanin që rikuperoi, ndërsa Emico Gotz fiksoi shifrat 25-22, duke i dhënë avantazhin e dyfishtë të kuqve.
Tirana provoi edhe në setin e tretë, por pas pikëve të para pati rënie në lojë, ndërsa Partizani mori kontrollin në parket, për ta fituar setin 25-17 dhe të gjithë takimin 3-0. Leonard Doda, autor i 16 pikëve, ishte lojtari më rendimentin më të lartë në sulmin e kuq, ndërsa në kampin bardheblu nuk mjaftoi performanca e argjentinasit Javier Vega, shënuesi më i mirë i ndeshjes me 18 pikë.
Me këtë fitore Partizani i forcon edhe më shumë pozitat në krye me 18 pikë, ndërsa Tirana mbetet në vend të dytë me 14 pikë, por me një ndeshje më shumë se Vllaznia (12 pikë) e vendit të tretë.
Dje u zhvillua gjithashtu edhe përballja ndërmjet Studentit dhe Elbasanit, një takim që ashtu sikurse pritej rezultoi i thjeshtë për kryeqytetasit. Ndonëse me rotacion në formacion, duke lënë jashtë disa prej titullarëve, Studentit i mjaftuan 67 minuta për të vulosur fitoren me rezultatin 3-0.
Pas një seti të parë që dhuroi rivalitet, i mbyllur 25-22, më tej loja ishte pa histori, me Studentin që i mori thellë dy fraksionet e tjera, përkatësisht 25-14 dhe 25-11.
Me këtë sukses ekipi studentor ngjitet në vendin e katërt, ndërsa Elbasani mbetet i fundit, pa fituar asnjë set në shtatë ndeshje. Java e tetë do të kompletohet sot me ndeshjen Skënderbeu-Vllaznia në Korçë.