Klubi i volejbollit Fer Volley nga Ferizaj është rikurorëzuar kampion i Kosovës, pasi në finalen e pestë dhe vendimtare mposhti Ferizajn me rezultat 3:1 (22:25, 25:23, 25:20, 25:22), duke fituar serinë finale me 3:2.
Ndeshja nisi më mirë për Ferizajn, që fitoi setin e parë 22:25, por Fer Volley reagoi menjëherë duke barazuar me një set të dytë të luftuar 25:23.
Në vazhdim, kampionet në fuqi morën kontrollin e lojës, duke fituar setin e tretë 25:20 dhe duke ruajtur qetësinë në momentet vendimtare të setit të katërt për ta mbyllur 25:22.
Kjo finale solli një rivalitet të jashtëzakonshëm mes dy skuadrave ferizajase.
Fer Volley kishte fituar ndeshjen e parë 3:1, Ferizaj barazoi me 3:2 në të dytën, ndërsa Fer Volley kaloi sërish në epërsi me 3:0 në të tretën.
Ferizaj reagoi në të katërtën me 3:1 për të çuar gjithçka në ndeshjen vendimtare, ku në fund triumfoi përvoja dhe stabiliteti i Fer Volleyt.
Një tjetër titull për Fer Volley, që konfirmon dominimin në volejbollin e femrave në Kosovë.