Nëse përmenden emra që lanë gjurmë jo vetëm në volejboll, por në përgjithësi në sportet me dorë të Kosovës pas luftës, veçohen padyshim Vildane Jashari dhe Ganimete Gërbovci.
Dy reprezentueset e Kosovës, në vitin 2007, firmosën për klubin italian Dannunziano nga Peskara.
Si Jashari, ashtu edhe Gërbovci, përfitonin pagë mbi 1.000 euro neto në muaj, ndërsa kishin të mbuluara të gjitha shpenzimet, ushqimin, akomodimin dhe transportin.
Edhe vet të lartpërmendurat e pohojnë.
Është interesant fakti se në atë kohë ishte shumë e vështirë të transferoheshe jashtë vendit, aq më tepër kur dihet se Kosova ishte e izoluar.
Federata e Volejbollit e Kosovës ende nuk ishte e pranuar në organizmat ndërkombëtarë si CEV dhe FIVB. Depërtimi i volejbollisteve tona në ato rrethana dëshmon për talentin që posedonin sportistet e lartpërmendura.
Në vitin 2009, edhe volejbollistja Albulena Mehmeti iu bashkua klubit Dannunziano.
Ndërkohë, në sezonin 2002/03, Vildane Jashari së bashku me Afërdita Sadiku kaluan te Teuta e Durrësit, gjë që në ato vite konsiderohej sukses i madh për volejbollin e Kosovës. Krahas tyre, edhe Shemsie Asllanaj, një nga legjendat e volejbollit, firmosi me Dinamon e Tiranës.
Tri volejbollistet që luajtën me sukses në kampionatin shqiptar u vlerësuan lart për paraqitjet e tyre nga njohësit e këtij sporti.
Megjithatë, Vildane Jashari dhe Ganimete Gërbovci do të mbahen mend si dy volejbollistet e para të pasluftës që luajtën në një shtet si Italia, duke u paguar mbi 1.000 euro neto në muaj dhe me të gjitha shpenzimet e mbuluara, përfshirë edhe biletat e udhëtimit.