Kombëtarja U18 e Kosovës në volejboll është mposhtur nga Mali i Zi me rezultat 0:3 (18:25, 21:25, 17:25) në ndeshjen e tretë të Kampionatit Ballkanik, që po zhvillohet në Podgoricë.
Seti i parë nisi me lojë të barabartë, ku Kosova arriti të rivalizojë për një pjesë të mirë të tij.
Megjithatë, në pikët vendimtare vendasit shfaqën më shumë qetësi dhe e mbyllën setin me rezultat 25:18.
Paraqitja më e mirë e volejbollistëve tanë erdhi në setin e dytë. Kosova zhvilloi një lojë shumë konkurruese, duke qëndruar pranë në rezultat deri në fund dhe duke i vënë në vështirësi malazezët.
Megjithatë, Mali i Zi ishte më i saktë në momentet vendimtare, duke fituar setin 25:21.
Në setin e tretë, nikoqirët krijuan epërsi në mesin e setit dhe e ruajtën atë deri në fund për ta mbyllur ndeshjen me rezultat 3:0, pas fitores 25:17 në setin e fundit.
Pas përfundimit të fazës së grupeve, Kosova do të vazhdojë garën në ndeshjet për plasman, sipas renditjes përfundimtare të Kampionatit Ballkanik U18.