Drita e Gjilanit ka synime të mëdha për edicionin e ri të elitës së volejbollit të Kosovës në konkurrencën e femrave.
Klubi gjilanas është përforcuar me volejbollisten turke 20-vjeçare, Eylul Boztepe, e cila pritet t’i shtojë edhe më shumë konkurrencën skuadrës në garën për trofe.
Boztepe është prezantuar nga Drita së bashku me kryetrajnerin Lorik Ilazi, ndërsa ardhja e saj shihet si një përforcim i rëndësishëm për objektivat e klubit në edicionin e ri.
Volejbollistja turke së fundmi ka luajtur për Trendy Hotels Manavgat Belediyespor në Turqi.
Boztepe luan në pozitën e sulmueses anësore. Ajo është e gjatë 191 centimetra dhe peshon 79 kilogramë.
Një nga karakteristikat e saj më të spikatura është aftësia në kërcim, lartësia e goditjes së saj arrin 298 centimetra, ndërsa në bllok arrin deri në 280 centimetra.