Polonia është sërish kampione e Evropës në volejboll! Në finalen e zhvilluar në Milano, polakët mposhtën Francën me rezultat 3:1 (31:29, 25:19, 19:25, 25:16) dhe për të dytën herë radhazi u shpallën kampionë të Evropës.
Polonia siguroi gjithashtu kualifikimin për Lojërat Olimpike në Los Anxhelos.
Në Kampionatin Evropian të volejbollit nuk kishte ndodhur prej 21 vitesh që një kombëtare ta mbronte titullin e fituar më herët.
Polonia e kishte fituar Evropianin tre vjet më parë në Romë, pasi kishte mposhtur Italinë. Këtë herë, në Milano, kundërshtari ishte Franca, kampione olimpike.
Gjatë gjithë turneut, Polonia i fitoi ndeshjet dhe kaloi fazat e garës edhe në momentet kur nuk ishte në nivelin më të mirë. Kundërshtarët nuk arritën ta ndalnin dhe diferenca në cilësi u bë e dukshme.
Por finalja ishte krejt tjetër histori, veçanërisht seti i parë, i cili solli shumë tension, luftë dhe emocione.
Në fund, skuadra e trajnerit Nikola Grbiq doli fituese në një finale spektakolare.
Për Poloninë, finalja në Milano ishte gjithashtu një mundësi për t’u përballur sërish me Francën pas humbjes së dhimbshme në finalen olimpike të Parisit.
Dy vjet më parë, në ndeshjen për medaljen e artë olimpike, Franca e mposhti Poloninë 3:0 në shtëpinë e saj.