Superliga e volejbollit për femra ka vijuar dje javën e parë me dy përballjet e radhës.
Provë bindëse në start nga Partizani, me të kuqet që morën derbin e parë të kampionatit, duke fituar si udhëtuese kundër Dinamos me rezultatin 0-3 në Farkë.
Skuadra e drejtuar nga Andi Lundra e kontrolloi lojën, duke e vulosur suksesin në harkun kohor të 91 minutave.
Me më shumë eksperiencë se skuadra blu, Partizani e menaxhoi më mirë ndeshjen, duke regjistruar kështu 3 pikët e para sezonale. Takimi nisi me rivalitet, ku herë kalonte njëra skuadër para dhe herë tjetra, duke shkuar deri në shifrat 20-20. Por, në momentet finale, të kuqet u treguan më të kthjellëta në veprimet e tyre, ndërsa Alisa Trubyuk, e ardhur nga Tirana, fiksoi shifrat 23-25 në setin e parë.
I ngjashëm ishte edhe fraksioni i dytë, ku sërish Partizani e bëri diferencën në pikët e fundit, ndërsa ishte sërish lojtarja ruse autore e pikës së setit, duke shënuar rezultatin 20-25 dhe epërsinë e dyfishtë të Partizanit. I treti nisi mirë për të kuqet, ndërsa Dinamo u afrua shpejt, por gradualisht Partizani u shkëput, për ta marrë thellë në shifrat 14-25, ku protagoniste e pikës së ndeshjes ishte Kejsi Shira. Xhovana Kaçorri me 21 pikë dhe Aisa Trubyuk me 14, udhëhoqën ofensivën e të kuqeve në Farkë, ndërsa për Dinamon shënueset më të mira ishin Najada Lama me 13 pikë dhe Sonia Sulejmani, autore e 12 pikëve.
VLLAZNIA-TEUTA
Paralelisht, në të njëjtën orë, në parketin e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” zbritën Vllaznia dhe Teuta. Me një ekip të përbërë nga shumë vajza të reja, shkodranet e patën të vështirë për të përballuar rivalet nga Durrësi. Kështu, Teutës iu deshën 83 minuta për të hipotekuar suksesin me rezultatin e pastër 0-3.
Bregdetaret e trajnerit Edmond Jazexhi i morën në shifra të thella të tria setet, përkatësisht 15-25, 16-25 dhe 18-25.
Durrsaket fusin kështu 3 pikët e para në “çantë”, duke e shfrytëzuar maksimalisht kalendarin favorizues në debutim. Java e parë e kampionatit do të kompletohet të shtunën me një sfidë që parashikohet tepër elektrizuese ndërmjet Pogradecit dhe Skënderbeut. Derbi u juglindjes do të luhet në orën 18:00 në sallën “Arefi Berberi”. Kujtojmë që në ndeshjen hapëse të kampionatit, Tirana mundi Lushnjën 3-0 të martën në “Farie Hoti”.