Akil Gjakova reagon për motrën

Xhudo

Akil Gjakova reagon për motrën

Më: 26 korrik 2021 Në ora: 12:51
Akil Gjakova reagon për motrën

Akil Gjakova është mposhtur në repesazh nga Rustam Orujov nga Azerbejxhani, në garat e xhudos në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Pas humbjes në çerekfinale nga xhudisti mongolez Tsogtbaatar Tsend-Ochir, Gjakova në repesazh luftoi me Orujov nga Azerbejxhani.

Ai deklaroi se synimi i tij primar ishte një medalje olimpike në Lojërat Olimpike Tokio 2020, por u nda i kënaqur sado pak me vendin e shtatë në kategorinë deri në 73 kilogramë.

“Nuk jam shumë i kënaqur edhe pse paraqitjen n e kam pasur të mirë. Kam ardhur me marr medalje dhe duke e parë parasysh që jam kampion evropian dhe synim ma qenë medalje. Por vendi i shtatë nuk është edhe aq i keq”, tha Akili pas humbjes.

Akili i humbi një luftë të barabartë pas një gabimi në tentim për ta hedhur në tapetë kundërshtarin duke përfunduar vetë në tapetë.

25-vjeçari i fitoi tri luftërat e para, para se të mposhtej në çerekfinale nga xhudisti mongol Tsendochir Tsogtbaatar, ku edhe e humbi mundësinë për medalje të artë apo argjendtë.

Ai pati mundësi të dytë për medalje, atë të bronztë, por nuk ia doli ta kalojë gjysmëfinalen e repesazhit, pavarësisht luftës së mirë që bëri ndaj azerit.

Akili pas kësja humbje Lojërat Olimpike “Tokio2020” do t’i përfundojë në  vendin e shtatë dhe pa medalje.

Megjithatë, ai deklaroi se është krenar me motrën e tij, Nora, e cila është kualifikuar në finale dhe fitoi medaljen e artë në kategorinë e saj -57 kg, duke ia siguruar Kosovës medaljen e dytë në “Tokio2020”.

“Si familje jemi tejet të kënaqur dhe si vëlla jam shumë i lumtur”, shtoi ai.

Kosova i ka siguruar dy medalje të arta olimpike në Tokio deri tani, të dyja në xhudo, pasi të shtunën Distria Krasniqi e fitoi të artën në kategorinë deri në 48 kilogramë dhe Nora Gjakova në atë të 57 kg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat