PhD. Dashnim Hebibi: “Kur do ta ketë Lugina e Preshevës përmendoren e Nënë Terezës?”

Zvicra

PhD. Dashnim Hebibi: “Kur do ta ketë Lugina e Preshevës përmendoren e Nënë Terezës?”

Nga: Dahest LUMA, Zürich Më: 20 prill 2025 Në ora: 10:34
Nënë Tereza

“Z.Hebibi në prag të festës së Pashkëve, ka risjellë në vëmendje domosdoshmërinë e këtij simboli për një zonë që e ka të shkruar në ADN-në e saj bamirësinë, dashurinë dhe paqen – pikërisht vlerat që mishëron shenjtorja shqiptare”.

Lugina e Preshevës – një tokë që përfaqëson dinjitetin, qëndresën dhe shpirtin shqiptar – vazhdon të dëshmojë se, edhe në kohë të vështira, vlerat kombëtare nuk harrohen. Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë qenë dhe mbeten treva që kanë dhënë shumë për kombin. Kjo tokë është streha e bujarisë, besës dhe bamirësisë, dhe mbi të gjitha, aty fillon e ruhet shqiptaria.

Në një kohë kur banorëve të kësaj ane po u mohohen të drejtat elementare, po u fshihen adresat dhe identiteti, zëri i tyre nuk është shuar. Ai jehon me forcë, përmes mërgatës që nuk rresht së ndjekuri zhvillimet dhe qëndresën e bashkëkombësve të saj. Një ndër këta zëra është ai i gazetarit dhe ambasadorit të paqes, z. Dashnim Hebibi, i njohur për kontributin e tij të çmuar në kauzat kombëtare dhe pjesëmarrjen në dy ngjarjet më të mëdha për kombin shqiptar: Lumturimin dhe shenjterimin e Nënë Terezës në Vatikan. Z. Hebibi, i cili ka pasur nderin të takojë shumë personalitete botërore gjatë këtyre ceremonive, është një nga zërat më të fuqishëm që së fundmi ka kërkuar përmes sam24.info që Presheva të ketë një përmendore të Nënë Terezës. Në prag të festës së Pashkëve, ai ka risjellë në vëmendje domosdoshmërinë e këtij simboli për një zonë që e ka të shkruar në ADN-në e saj bamirësinë, dashurinë dhe paqen – pikërisht vlerat që mishëron shenjtorja shqiptare.

Sot, Presheva ka një përmendore të Skënderbeut – simbol i kombit, qëndresës dhe krenarisë – por i mungon Nënë Tereza, simboli i mëshirës dhe dashurisë universale. Kjo përmendore nuk do të ishte thjesht një monument, por një amanet për brezat e ardhshëm dhe një nderim i vonuar për një figurë që e përfaqëson më së miri shpirtin e kësaj treve.

Z. Hebibi gjithashtu përgëzon z. Sokol Guga nga Shqipëria, i cili është duke punuar për një program të jashtëzakonshëm në Preshevë në nder të Nënë Terezës – një program i pari i këtij lloji në atë zonë. Kjo nismë është pritur me entuziazëm nga mërgata shqiptare dhe nga shumë qytetarë të Preshevës, të cilët e shohin si një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së përmendores që mungon.

Në një klimë të ndërlikuar politike, ku Lugina shpesh ndjehet e harruar, kjo iniciativë merr një peshë të madhe simbolike dhe shoqërore. Z. Hebibi shpreh besimin se me mbështetje të gjerë dhe me përkushtim të sinqertë, përmendorja e Nënë Terezës në Preshevë nuk do të mbetet vetëm dëshirë, por do të bëhet realitet.

Ky është momenti për të kthyer sytë drejt Luginës. Sepse nëse duam të ruajmë identitetin, duhet ta nderojmë kujtesën. E një përmendore e Nënë Terezës në Preshevë do të ishte një gur themeli në këtë mision.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat