Nexhibe Imeri – Zëri i Artit për Barazi nga Zemra e Diasporës Shqiptare në Zvicër

Zvicra

Nexhibe Imeri – Zëri i Artit për Barazi nga Zemra e Diasporës Shqiptare në Zvicër

Nga: PhD. Dashnim HEBIBI Më: 16 qershor 2025 Në ora: 13:07
Nexhibe Imeri

Data 14 qershor do të kujtohet për të mirë. Ashtu siç ju paralajmëruam të nderuar lexues, kudo që jeni, se së shpejti do ta kemi një reportazh pak më të veçantë nga Luzerni i Zvicrës, ku bashkëkombasja jonë – edhe pse në moshë të thyer, por e kthjellët me shpirt dhe mendje – sfidon kohën dhe moshën, duke synuar tituj në tempujt e nderuar të dijes në Zvicër.

Kjo është Zvicra që ta mundëson: nuk sheh se nga vjen, çfarë kombësie, ngjyre apo bindjeje fetare ke – ajo sheh dëshirën për të kontribuar në të ardhmen, dhe dera është e hapur, me përkrahje të plotë. Jo rastësisht për ne shqiptarët, Zvicra është atdheu ynë i dytë, dhe i jemi mirënjohës brez pas brezi. Në ditët më të rënda të kombit tonë, Zvicra ishte me ne – me të drejtën dhe me popullin e shtypur që është i lashtë në Evropë dhe që ka dhënë shumë për këtë kontinent.

Pozita e gruas, dikur, ishte siç ishte – jo vetëm në atdheun tonë, por edhe në mbarë Evropën Juglindore dhe më gjerë – një temë që kërkon studim të thelluar. Por është zonja Imeri ajo që, si studiuese dhe artiste me shpirt, flet përmes ngjyrave. Ajo përshkruan gjendjen e femrës shqiptare në periudha të ndryshme – që nga fëmijëria, martesa, lindja, roli si nënë dhe shpresa për të ardhmen.

Më 14 qershor 2025, Biblioteka e Hochschule Luzern u shndërrua në një hapësirë reflektimi dhe dialogu përmes artit. Artistja dhe studentja e masterit në “Critical Image Practices”, Nexhibe Imeri, prezantoi ekspozitën dhe projektin e saj të diplomës – një thirrje e fuqishme për barazi gjinore dhe drejtësi sociale, përmes artit vizual dhe diskutimit publik.

Nexhibe Imeri vjen nga Presheva dhe është nënë e dy vajzave, Gentiana dhe Dorentina. Në hyrje të bibliotekës ishte vendosur një fletore me fleta të bardha ku secili vizitor mund të linte përshtypjen e tij. Një tavolinë e rrumbullakët dhe disa karrige përballë saj prisnin mysafirët për të marrë pjesë në një ngjarje të veçantë, me peshë të madhe. Ashtu siç ishte planifikuar, zonja Imeri i mirëpriste mysafirët me përqafim – gjest që shprehte sinqeritetin dhe mirënjohjen e saj të thellë.

Daut Luboja, një bamirës dhe artist i fotografisë dhe kamerës, me vite i përkushtuar në ruajtjen e ngjarjeve kombëtare, ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, e cila e ndihmonte në çdo hap të regjistrimit të këtij eventi.

I pranishëm ishte edhe Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri, i shoqëruar nga Florim Useini – kryetar nderi i rrjetit të biznesmenëve shqiptarë në Zvicrën Qendrore, si dhe Meti Krasniqi – kryetar i rrjetit të miqësisë. Ata i uruan zonjës Imeri suksese dhe shprehën mbështetjen e tyre për këtë ngjarje me rëndësi.

Kjo ngjarje bashkoi një numër të madh pjesëmarrësish: shqiptarë, zviceranë, studentë, artistë dhe aktivistë, që ishin aty për të dëgjuar dhe mbështetur këtë projekt të fuqishëm kundër diskriminimit gjinor dhe për barazi sociale.

Zonja Nexhibe Imeri është një grua me karakter të fortë, e vendosur dhe me një vizion të qartë për drejtësi. Ajo përmes artit thyen heshtjen dhe sfidon strukturat e padrejta. Numri i të pranishmëve ishte i kufizuar. Nuk mungonin as lulet e freskëta. Zonja Imeri foli me rrjedhshmëri për disa nga punimet e saj, duke lënë të pranishmit të kënaqur dhe të ndjeshëm ndaj temës.

Edhe Ambasadori Demiri u shpreh i kënaqur me punën e zonjës Imeri dhe theksoi se suksesi nuk njeh moshë. “Zonja Imeri do të shërbejë si model për të gjithë ne,” tha ai.

Pas prezantimit të punimeve, ajo u rrethua nga dy vajzat e saj që e shikonin me sy të mbushur me krenari, duke e ditur se sa shumë kishte punuar në shtëpinë plot me art, për këtë ditë të madhe.

Në podium ishte edhe PhD Dashnim Hebibi, i cili dha disa fjalë të fuqishme për pozicionin e gruas shqiptare dikur dhe sot. Ai tha:

“Të nderuar organizatorë, të respektuar të pranishëm, kolegë, miq të dashur,

Kam nderin e veçantë që të jem pjesë e kësaj ngjarjeje që i kushtohet figurës së gruas – si simbol dhe si forcë reale që ndërton, ruan dhe bart vlera.

Znj. Imeri, ju falënderoj për përkushtimin tuaj për të sjellë në pah atë që shpesh heshtet: bukurinë, thellësinë dhe forcën e gruas shqiptare në diasporë.

Gruaja shqiptare nuk ka qenë vetëm mbështetëse – ajo ka qenë shtylla e familjes dhe mbartëse e kulturës sonë.”

Në vazhdim, z. Hebibi u ndal në temën e librave të tij kushtuar gruas shqiptare, duke ndarë përvoja, modele suksesi dhe mesazhe për brezat e rinj.

Pas prezantimit u zhvillua edhe një debat i hapur mbi temën, që u mirëprit nga të gjithë të pranishmit.

Pas ngjarjes dhe koktejit, zonja Imeri organizoi një darkë të ngrohtë për disa nga të ftuarit në Luzern, që u ndje si një darkë pune, por edhe miqësie.

Në fund, zonja Imeri falënderoi të gjithë mbështetësit dhe në veçanti tha:

“Ky projekt është autobiografik, por tejkalon historinë time personale. Kjo nuk është thjesht historia ime. Kjo është historia e shumë grave që s’e kanë pasur mundësinë të flasin. Me këtë ekspozitë, nuk kam dashur të prek vetëm syrin – por ndërgjegjen, ndërgjegjen kolektive. Arti është protestë. Arti është shërim. Arti është drejtësi.”

Ai është një zë për të gjitha gratë që nuk kanë zë.

Një art që flet, që inspiron, që proteston.

Jam krenare që ky projekt u bë publik. Ky rrugëtim nuk ishte vetëm imi – ai është i shumëkujt që më dha dorën dhe besimin.

Ju falënderoj nga zemra – sidomos profesoreshën time të nderuar, Mentoren Prof. Dr. Sabine Fink Gebhard, drejtoreshe për Master Art në HSLU. Zonja Gebhard më ka ndhmuar shumë dhe i jam mirënjohës për jetë. Suksesi im është suksesi i zonjës Gebhard dhe padyshim edhe i të tjerëve që më kanë ndihmuar e frymëzuar. Nuk mundem përmes fjalëve ti falënderoj, por zemra është me oqean falënderimesh.

Ju ishit frymëzim dhe mbështetje në çdo hap. Pa ju, kjo ekspozitë nuk do të kishte marrë këtë formë që ka sot.”

Në përmbyllje, zonja Imeri falënderoi edhe mentorët Lena Eriksson, Peter Spilmann dhe Elizabet Nold Schwartz, Nika Spalinger, Zita Küng, Ambasadorin Rexhep Demiri, z. Useini, Krasniqi, si dhe PhD. Dashnim Hebibi, ambasador i paqes, publicist, gazetarë dhe nga Sam24.info, pastaj kameramanin Daut Luboja me bashkëshorten, moderatoren Joanna dhe – me emocione – vajzat e saj që ishin mbështetja më e madhe në këtë rrugëtim dhe të gjithë të pranishmit.

Ne i urojmë shumë suksese zonjës Nexhibe Imeri dhe shpresojmë që do të mbetet një model i qartë që me punë dhe përkushtim arrihet suksesi – dhe se mosha nuk është pengesë, por një shtesë vlerash dhe zonja Imeri na falënderoi shumë edhe si redaksi e sam24info. Kjo ditë në Luzern është shumë më tepër sesa një datë në kalendar. Është një hap drejt një vetëdije më të lartë, drejt barazisë reale, drejt një shoqërie që i jep gruas vendin që i takon. Nexhibe Imeri nuk prezantoi thjesht një ekspozitë. Ajo hapi një dritare të madhe për t’u parë më qartë vetja jonë, historia jonë, dhimbja dhe guximi që bartim. Me shumë bindje themi: kjo nuk është fundi – kjo është fillimi i një kapitulli të ri për artin që flet shqip, për gratë që nuk heshtin!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat