Mërgimtari dhe bileta e aeroplanit: ndërmjet mallit, sakrificës dhe pamundësisë
Sa herë afrohen festat apo pushimet, një pyetje fillon të qarkullojë në çdo grup, në çdo vend të Zvicrës, Gjermanisë, Austrisë e më gjerë, aty ku jeton mërgata jonë:
“Sa ishin biletat për në Kosovë?”
Kjo pyetje, në dukje e thjeshtë, bart brenda vetes shumë më tepër se një kuriozitet për çmime. Ajo është pasqyrë e mallit, e sakrificës dhe e një përpjekjeje të përvitshme që bën çdo mërgimtar për t’u kthyer, qoftë edhe për pak ditë, në vendin e të parëve dhe për të kursyer që ti përballoj çmimeve. Por përgjigjja shpesh është e dhimbshme: “Shumë të shtrenjta.”
Në periudhat e verës apo gjatë fundvitit, një biletë e thjeshtë një drejtimshme nga Prishtina në Cyrih mund të arrijë 400 deri në 450 franga zvicerane, apo anasjelltas. Për një familje me dy ose tre fëmijë, ky udhëtim bëhet luks. Prandaj shumë zgjedhin rrugën e gjatë me vetura, duke përballuar më shumë se 24 orë udhëtim nëpër autostrada, vetëm për të kaluar disa ditë me familjen dhe miqtë në Kosovë dhe trevat tjera shqiptare.
Megjithatë, ajo që të bën të mendosh është fakti se askush nuk pyet kur biletat janë të lira. Fjala bie, sot, më 23 tetor, një biletë njëdrejtimshe nga Cyrihu për në Prishtinë kushtonte vetëm 59 franga. Po pse atëherë nuk dëgjojmë dikë të thotë: “Sa lirë janë biletat këtë herë!”?
Ne ankohemi kur janë të shtrenjta, por rrallëherë reflektojmë mbi arsyet pse çmimet ndryshojnë.
„Unë vetë jam pjesë e mërgatës. Kam paguar bileta të kripura gjatë sezonit të verës dhe të dimrit, por kam parë edhe periudha kur fluturimet janë jashtëzakonisht të lira – bileta vajtje-ardhje për vetëm 90 franga, madje edhe më pak nga Bazeli. Kjo tregon se çmimet varen nga kërkesa, nga sezoni, nga numri i udhëtarëve, dhe nga kalkulimet që bëjnë kompanitë për të mos dalë humbëse“, na tha për sam24.info Agimi nga komuna e Pejës që jeton e vepron në Zvicër. Nga Cyrihu për në Prishtinë, fluturojnë çdo ditë disa aeroplanë – vetëm sot pesë linja të ndryshme. Numri i mërgimtarëve shtohet çdo vit, por njëkohësisht ndryshon edhe mënyra e udhëtimit: disa preferojnë fluturimet direkte, të tjerë rrugët tokësore për të kursyer. Ka zëra që kërkojnë çmime fikse për biletat, me arsyetimin se kështu do të ishte më më mirë në periudhat e festave.
Por një sistem i tillë do të kërkonte më shumë fluturime, më shumë staf, më shumë kapacitete – dhe kjo do ta shtonte sërish koston. Në fund, çmimi nuk është vetëm numër: ai reflekton kërkesë e ofertë, sezon e fat, por edhe dinamikën e një tregu që përpiqet të mbijetojë. Megjithatë, është e kuptueshme shqetësimi i mërgimtarëve.
Ata që punojnë gjithë vitin për të kursyer e për t’u kthyer në atdhe për pak ditë meritojnë mirëkuptim. Ata nuk kërkojnë luks, por drejtësi dhe stabilitet në çmime. Sepse për ta, çdo biletë nuk është vetëm një fletë letre – është lidhja me rrënjët, me familjen, me kujtimet që nuk zëvendësohen dot.
Në anën tjetër, duhet të kemi edhe mirëkuptim për kompanitë ajrore dhe agjencitë. Edhe ato kanë përballë një treg të paparashikueshëm, me çmime karburanti që ndryshojnë, me kërkesë sezonale që shpërthen vetëm disa herë në vit. Asnjëra palë nuk e ka lehtë.
Por ajo që mbetet e pandryshuar është zemra e mërgimtarit – që rreh gjithmonë për vendlindjen. Pavarësisht çmimeve, pavarësisht lodhjes, mërgimtari gjen gjithmonë mënyrën për t’u kthyer, qoftë me aeroplan, qoftë me veturë, qoftë edhe pas 24 orësh udhëtim të pandërprerë. Sepse kthimi në atdhe nuk është luks – është nevojë shpirtërore. Prandaj, ndoshta është koha të ndryshojmë pak qasjen.
Të mos shohim disa vetëm çmimin e biletës, por edhe përpjekjen që bëhet pas saj.
Të mos e kthejmë çdo debat në ankesë, por në mirëkuptim të ndërsjellë.
Sepse në fund të fundit, ajo që na bashkon të gjithëve është dashuria për vendin tonë – ajo që na bën të udhëtojmë me zemrën plot, sado të gjatë apo të shtrenjtë të jetë rruga. E kur biletat janë më të lira për mërgimtarët, dhe rruga për në atdhe do të ishte më e shpeshtë. Megjithatë, ekzistojnë edhe mundësi të tjera të udhëtimit, që shumica i përdorin, si vetura, autobusi apo edhe anija. Më e rëndësishmja është që pushimet të kalohen në atdhe.