Origjina e tij është nga një nga fshatrat më të bukur të Kosovës, Stublla, aty ku u hap edhe shkolla e parë shqipe legale. Duket se kjo vlerë mbarkombëtare i është përcjellë nga prindërit, të cilët kanë kultivuar tek ai dashurinë për gjuhën shqipe edhe në mërgim. Kjo dukuri shfaqet qartë tek Burim Ramaj, i cili si shqiptar po na bën krenarë me arritjet e tij.
Studiuesi shqiptar Burim Ramaj sapo është nderuar me titullin doktor shkence në një ceremoni solemne të organizuar nga Universiteti i Friburgut në Zvicër, për temën e tij: “Pluralizmi juridik sipas kanunit shqiptar”.
Punimi i tij është vlerësuar me notën magna cum laude, duke theksuar rëndësinë shkencore dhe kulturore të trajtimit të së drejtës zakonore shqiptare përballë gjykatave shtetërore. Për të gjithë ata që jetojnë jashtë trojeve shqiptare, ky punim ia vlen të lexohet, pasi trajton identitetin unik shqiptar, duke përfshirë aspekte historike dhe juridike, dhe pasqyron vlera si nderi, mikpritja dhe besa.
Në ceremoninë përkatëse, ku u promovuan shtatë kandidatë me tituj doktorësh, morën pjesë edhe familjarë dhe miq të afërt të doktorit të ri. Midis tyre ishin edhe prindërit e tij, Marjan dhe Lina Ramaj, të cilët dikur sakrifikuan rininë në mërgim, por tani ndiqnin me krenari arritjen e djalit të tyre në majat më të larta akademike.
Burimi, i rritur dhe jetues në Zvicër, sot përfaqëson një shembull të sukseseve të brezit të ri shqiptar në Diasporë. Ai ndau këtë eksperiencë ditë më parë edhe në programin e mëngjesit të RTV21, ku zbuloi për herë të parë edhe kopertinën e punimit të tij, i cili do të publikohet shumë shpejt në formën e një libri.