Shoqata SHBK “Salih Cekaj” në Zvicër uron 17 Shkurtin

Zvicër

Shoqata SHBK “Salih Cekaj” në Zvicër uron 17 Shkurtin

Nga: M.L. Më: 17 shkurt 2026 Në ora: 11:57
Foto ilustrim

Shoqata SHBK “Salih Cekaj” në Zvicër ka uruar 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si një nga datat më të rëndësishme për mbarë popullin shqiptar, kudo që jeton.

Në urimin drejtuar anëtarëve, kontribuuesve dhe shqiptarëve në mbarë botën, shoqata thekson se 17 shkurti përkujton rikonfirmimin e vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe demokratik, 18 vite më parë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Në mesazh përmenden edhe tri shtyllat kryesore mbi të cilat, sipas shoqatës, u ndërtua shteti i Kosovës: Deklarata e 2 Korrikut, Kuvendi i Kaçanikut ku u miratua Kushtetuta e Kosovës, si dhe Referendumi për Pavarësinë e Kosovës i mbajtur më 26–30 shtator 1991.

Deklarata e plotë:

Të dashur anëtarë të SHBK “SALIH CEKAJ” në Zvicër, kontribues të nderuar që në forma të ndryshme keni kontribuar në këtë shoqatë, shqiptarë në mbarë botën,

Sot është një ditë e madhe për mbarë popullin shqiptar, kudo që jeton. Sot është 17 Shkurti, dita kur deputetët e Parlamentit të Kosovës, para 18 viteve, edhe një herë rikonfirmuan vullnetin politik të popullit të Kosovës për një shtet të pavarur dhe demokratik.

Deklarata e 2 Korrikut të vitit 1990 e Kuvendit të Kosovës, Kuvendi i Kaçanikut i mbajtur më 7 shtator të vitit 1990, ku u nxor Kushtetuta e Kosovës, si dhe Referendumi për Pavarësinë e Kosovës, i mbajtur nga 26–30 shtator të vitit 1991, ishin tri shtyllat kryesore mbi të cilat u formua shteti i Kosovës.

Në emër të kryesisë së SHBK “SALIH CEKAJ” në Zvicër, ju urojmë nga zemra këtë ditë të madhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.

Urojmë që sa më parë shteti ynë, Kosova e dashur, të lirohet nga kjo klasë politike në pushtet, e cila është pengesa kryesore e zhvillimit dhe prosperitetit të shtetit tonë.

Kjo ditë e madhe për popullin tonë le të jetë një frymëzim dhe shtytje për popullin e Kosovës që sa më parë ta lirojmë shtetin tonë të dashur nga kjo klasë politike demagogjike në pushtet. Me mashtrimet e saj e ka futur vendin në një qorrsokak; me arrogancën e vet ndaj aleatëve strategjikë dhe sponsorëve të shtetit të Kosovës, e ka futur vendin në një izolim ndërkombëtar.

Ka ardhur koha t’u themi jo veprimeve arrogante të kësaj Qeverie dhe të hapim rrugën e progresit, zhvillimit dhe sukseseve për shtetin e Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat