Sulm me makinë bombë ndaj inxhinierëve turq në Somali - Bota Sot
Sulm me makinë bombë ndaj inxhinierëve turq në Somali

Afrika

Sulm me makinë bombë ndaj inxhinierëve turq në Somali

Më: 18 janar 2020 Në ora: 14:34
Somali

Një makinë bombë që kishte në shënjestër një grup kontraktuesish turq shpërtheu të shtunën në qytetin Afgoye, në veri-perëndim të kryeqytetit të Somalisë, Mogadishu.

Deri tani autoritetet nuk kanë njoftuar për viktima si pasojë e shpërthimit.

"Një makinë bombë u përplas me shpejtësi në një vend ku inxhinierët turq dhe policia somaleze ndodhej për të drekuar", i tha oficeri i policisë Nur Ali agjencisë Reuters.

Nuk dihet se kush qëndron pas sulmit, por banorët dhe policia thanë se luftëtarët e al Shabaab-it kanë provuar të sulmojnë Afgoyen ditën e premte në mbrëmje, por u zmbrapsën. Grupi militant i lidhur me Al Kaedën ka marrë përgjegjësinë për sulme në të shkuarën si pjesë e një fushate për të rrëzuar qeverinë somaleze të mbështetur nga Kombet e Bashkuara.

"Dëgjuam një shpërthim të fortë dhe pamë re në ajër. Përpara shpërthimit, disa inxhinierë turq dhe një grup i armatosur policësh somaleze ndodheshin në vendngjarje" tha një nga dëshmitarët e sulmit, Farah Abdullahi. "Pamë disa persona që u hoqën nga vendngjarja, por nuk mund të them nëse ishin të vdekur apo të plagosur", shtoi ai.

Prej një krizës së urisë që preku Somalinë në 2011-n, Turqia ka qenë një burim kryesor i ndihmës për vendin ndërsa Ankaraja kërkon të rrisë ndikimin e saj në Bririn e Afrikës duke konkuruar kundërshtarët e saj të Gjirit, si Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Inxhinierët turq po ndihmojnë në ndërtimin e rrugëve në Somali. Në fund të muajit dhjetor në një tjetër shpërthim në një pikë kontrolli në Mogadishu u vranë të paktën 90 persona mes tyre dhe disa inxhinierë turq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat