Vrasja e dy vëllezërve në Deçan, anulohet seanca e rigjykimit

Aktuale

Vrasja e dy vëllezërve në Deçan, anulohet seanca e rigjykimit

Më: 26 nëntor 2020 Në ora: 13:44
Ilustrim

Gjykata Themelore në Pejë, të enjten e ka anuluar seancën e rigjykimit ndaj dy të akuzuarve Durim dhe Sali Lushaj  për vrasje të dyfishtë të vëllezërve Burim dhe Rexhep Ramaj.

Sipas konfirmimit të kryetares së trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, seanca e sotme dhe e nesërme anulohet për shkak të mungesës së anëtares së trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri e cila për shkak të arsyeve shëndetësore, nuk ka mundur të jetë prezentë në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Husaj-Rugova se për anulimin e seancës palët janë njoftuar ndërsa seanca e radhës do të caktohet brenda muajit janar të vitit 2021 pas konsultimit edhe me anëtarë të tjerë të trupit gjykues.

Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Pejë më 14 prill 2018, kishte shpallur fajtor dhe kishte dënuar të akuzuarin Durim Lushaj me dënim unik prej 25 viteve burgim për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtës pa leje, dhe Sali  Lushajn me dënim unik në kohëzgjatje prej 18 viteve burgim, për shkak të veprës penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtjes pa leje.

Kurse, Gjykata e Apelit, më 3 korrik 2018, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të akuzuarve Durim Lushaj dhe Sali Lushaj si të bazuara, dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje, për shkak të shkeljes esenciale të procedurës penale dhe vërtetimin jo i plotë të gjendjes faktike.

“Gjykata e Apelit ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje eseanciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 pika 1.12 e që lidhet me nenin 370 par.6 dhe 7, e të cilat kanë ndikuar edhe në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike”, theksohet në vendim e Apelit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet se me 25 gusht 2016, rreth orës 18:30, në fshatin Shaptej, Komuna e Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, ka privuar nga jeta Rexhep Ramaj me armë zjarri.

I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali  Lushajn, akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt, po ashtu me armë zjarri.

Sipas aktakuzës, ata me këto veprime kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R dhe Gani Ramaj e Mustafë Ramaj.

Që të dy akuzohen nga ana e prokurorisë për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtje pa leje. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat