“Pse bre po ngutesh”, deputetja e VV-së e ashpër ndaj Avdullah Hotit

Aktuale

“Pse bre po ngutesh”, deputetja e VV-së e ashpër ndaj Avdullah Hotit

Më: 23 mars 2022 Në ora: 23:24
Avdullah Hoti dhe Fitore Pacolli

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, statusin e saj në Facebook, e ka nisur duke e pyetur ish-kryeministrin Avdullah Hoti, se pse po ngutet, lidhur me projektin e MCC-së, që kap vlerën prej 234 milionë dollarësh.

Ajo në këtë shkrim, tha se ky projekt nuk ka të bëjë me zhvillimin e gazsjellësit TAP.

Sipas saj, ky program përfshin rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet të lartë mbi 200MWh) si dhe zhvillimin e fuqisë punëtore dhe përfshirjen e grave në sektor të energjisë.

“Po flasim për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, modernizimin e kapaciteteve tona ekzistuese, edukimin e fuqisë punëtore në teknologji dhe lehtësimin drejt tranzicionit të gjelbërt energjetik të Republikës së Kosovës. Kthjelluni”, shkroi ajo.

Ditën e sotme, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se shtyrja e projektit të gazit përmes MCC për një vit ishte gabim.

Sipas tij, megjithatë, mirë që po e kuptojnë se projektet e Marrëveshjes së Washingtonit mund të shtyhen, por nuk mund të anulohen.

“Ato projekte janë interes strategjik i Kosovës dhe i SHBA-së. Duhet pasur vizion euro-atlantik për të ardhmen e shtetin e Kosovës për të kuptuar rëndësinë strategjike të këtyre projekteve”, shkroi Hoti në Facebook.

“Furnizimi me gaz dhe hekurudha për Durrës janë dy nga këto projekte që do ta transformojnë ekonominë e Kosovës, siç e ka transformuar autostrada Prishtinë-Durrës e ideuar nga Presidenti Rugova”.

“Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, mbetet marrëveshja më e rëndësishme që ka nënshkruar Kosova që nga shpallja e pavarësisë. Zoti e bekoftë miqësinë e Kosovës me SHBA-në”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat