Lëshohet urdhërarrest për ish-eprorin e lartë policor

Aktuale

Lëshohet urdhërarrest për ish-eprorin e lartë policor

Më: 24 maj 2022 Në ora: 14:02
Zhelko Bojiq

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar arrestimin dhe shoqërimin me forcë të ish-shefit të operativës në policinë e Kosovës, Zhelko Bojiq, i cili dyshohet për veprat penale, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

Mësohet se në bazë të aktakuzës, e cila është ngritur ndaj të pandehurit më 19 qershor 2020, ngjarja kishte ndodhur gjatë vitit 2015 në veri të Mitrovicës, derisa Njësiti anti-drogë po zhvillonte një aksion që synim kishte kapjen e një sasie të madhe drogë nga një automjet Land Rover.

Mirëpo, dyshohet se me urdhrin e togerit Zhelko Bojiq, njerëz të caktuar të krimit, kishin arritur ta pengojnë Njësitin anti-drogë, duke pamundësuar kështu aksionin policor.

Bojiq ka më shumë se dy vite që kur ka ikur nga Kosova, ndërsa thuhet se fshihet në Serbi.

Kujtojmë se në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zhelko Bojiq identifikohet si pjesëmarrës i grupit të krimit të organizuar, grup ky që ishte angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat