Kur do të shkruhet e vërteta nga inteligjenca shqiptare për luftën dhe të paktën 10 vitet pas saj? Sa teza diplomash dhe mastere kanë guxuar të japin universitetet publike dhe kolegjet private, që të trajtojnë tema të ndjeshme si vrasjet politike, si u trajtuan nga drejtësia në Kosovë? Si u ngjitën në majat e politikës figurat si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti etj.? Lidhjet e SHIK-ut me SHISH dhe të këtyre dyja me UDB? Si u shndërruan në dashamirë të serbëve dhe urrejtës të atdhetarëve, të njëjtat figura politike? Roli i këtyre figurave dhe partive si PDK në mbështetje të organizatave islamike që përhapën islamin politik e radikal etj?
Teza si këto dhe të tjera të shumta do të ndihmonin në krijimin e një ideje dhe komunikimi shumë më të shëndoshë në shoqërinë tonë, jo që të vazhdojë të mbeten tabu temat si vrasjet politike, për një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë apo për rajone të caktuara!
Edhe deshifrimi i islamit politik dhe radikal është i domosdoshëm, pasi e ka dëmtuar seriozisht identitetin tonë politik, dhe po vepron në mënyrë malinje në dëmtimin e identitetit kombëtar, siç e konsiderojmë ne mbi 10 mijëvjeçar!
Duke gërmuar
Në një shkrim timin analitik vitin e kaluar kam ardhur në përfundimin se përveç operacioneve të kryera nga drejtësia, aktiviteti i grupeve islamike fetare në vendin tonë kishte rënë dukshëm me arrestimin e Hashim Thaçit nga gjykata speciale.
Por, pse ka mund të ndodhë kjo, dhe a kishte ndonjë varësi të argumentuar, bashkëveprimi të grupeve kriminale, që KFOR-i i referohej edhe si banda?
Duke gërmuar sërish në të kaluarën, jo të largët, të hetimeve apo të informacioneve të siguruara nga inteligjenca e KFOR-it amerikan e gjerman, rezulton, se që nga pas luftës ka pasur ndërlidhje dhe veprimtari të udhëheqësve të lartë apo me shumë ndikim në SHIK, si Xhavit Haliti me grupe kriminale, e deri tek grupet apo ojq-të islamike, përkatësisht me organizatat e atilla.
Raporti shpjegon edhe për ekzistimin e një lidhjeje të Xhavit Halitit, si njëri nga udhëheqësit e PDK-së, me organizatat islamike.
“Xhavit Haliti ka qenë prezent duke operuar në këto organizata joqeveritare islamike. Haliti është i lidhur me Hamdi Thaçin, president i Organizatës Islamike (NFDK). Thaçi dhe Haliti kanë ndërtuar pa ndonjë autorizim një xhami të madhe në qendër të Prishtinës. Disa nga organizatat islame kanë financuar PDK-në”, thuhet në raportin sekret të inteligjencës amerikane të KFOR-it për NATO-n.
Pra, është e qartë se Xhavit Haliti nuk ishte i vetëm në këtë bashkëpunim me organizatat islamike, por sipas raportit ishte e përfshirë edhe partia e tij.
Sipas raporteve të KFOR-it, disa të cilat i kemi përmendur këtyre ditëve, SHIK-u financohej nga PDK-ja, dhe ishte kthyer në organizatë partiake. Situatë kjo e qartë, pasi njerëzit kryesor të saj ishin në këtë parti, Kadri Veseli, Elmi Reçica, Xhavit Haliti (pasi udhëhiqte një grup, sipas KFOR-it, që nuk ishte si një strukturë më vete, por e ndikuar).
Pra, PDK-ja apo SHIK-u, bashkëvepruan me organizata të dyshimta islamike, dhe me shumë gjasë ato kishin interferuar në Kosovë edhe nëpërmjet Serbisë, përkatësisht inteligjencës sekrete serbe, dhe nga bashkëveprimi i saj, me dekada me inteligjencën e vendeve arabe, të Turqisë etj.
Pra, derisa: “disa nga organizatat islame kanë financuar PDK-në”, është e qartë, që ato kanë marrë ‘përfitimet’ e veta.
Përfitimi kryesor duket të ketë qenë, ‘mbyllja e njërit sy apo edhe të dyve për një kohë’, derisa ato po rriteshin, strukturoheshin, zgjeroheshin dhe po bëheshin gjithnjë e më radikale dhe më të rrezikshme!
Fuqia e SHIK-ut: Vrastare, frikësuese
Sipas inteligjencës amerikane të KFOR-it, SHIK-un ishte një organizim i thellë në PDK. “Kjo organizatë funksiononte si kompromis i disa anëtarëve të G2-shit, një trupë për kundërzbulim që operonte brenda ish-Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Xhavit Haliti, si njëri nga kryesuesit e SHIK-ut, kishte lidhje të fuqishme me Shërbimin Informativ të Shqipërisë....”
Sipas raportit sekret amerikan, SHIK-u kishte pas luftës rreth pesë mijë pjesëtarë, ndërsa në kohën e bërjes së raporteve vlerësohej se kishte tre mijë agjentë, prej tyre 200 deri në 500 veta që kanë qenë pjesëtarë të SHIK-ut të punësuar në Departamentin e TMK-së (për inteligjencë), i njohur si G2, emri eponim që e mbante në luftë. “Menjëherë pas përfundimit të konfliktit në Kosovë, në vitin 1999, SHIK-u ka afruar afër vetes pesë mijë persona”, thuhej në atë raport.
Përveç lidhjeve me grupe apo individ të fuqishëm, njëri udhëheqës i PDK-së, sipas raportit të KFOR-it amerikan, kishte lidhje me Ali Haskajn, një ish-spiun që, sipas raportit ka një reputacion të madh për sulme vrasëse, dhe çmimi për një sulm të atillë kapte shumën prej 10 mijë deri në 20 mijë marka gjermane.
“Xhavit Haliti ka qenë i përzier në grupin e Haskajt bashkë me Hashim Thaçin”, thekson raporti.
Pra, sipas kësaj rezulton se nuk ishte vetëm Fatmir Sheholli, një agjent i dyfishtë i UDB-së, por edhe emra të tjerë të rrezikshëm që kishin punuar për Serbinë.
Motivimi i listave të zeza!
Prandaj, si duket rezultonin lista të pamëshirshme për ekzekutimin e atdhetarëve!
“Një raport i inteligjencës i vitit 2004 thekson se bashkëpunëtori i Thaçit dhe ish-komandanti i UÇK-së Xhavit “Haliti me Kadri ‘SALI’ VESELI, shef i KshiK-ut kanë përgatitur një ‘Listë të Zezë’ të politikanëve të moderuar që u frikësuan nga mbështetësit e KshiK-ut dhe PDK-së. Nuk dihet se kush në qeverinë amerikane e ka parë raportin, por diplomati perëndimor i mirëinformuar konfirmoi se zyrtarët në Uashington e kishin parë raportin. (Raporti shënohet “Secret Rel USA KFOR and NATO”, i cili është kod standard i Pentagonit për “Sekret – që mund të publikohet në Shtetet e Bashkuara dhe NATO”, thuhet në një shkrim të Globalpost.
Ndërsa, sipas një raporti të inteligjencës, i autorizuar nga agjencia gjermane e inteligjencës, BND, në vitin 2005 thotë: “SHIK-u e zhvilloi formën e tij aktuale në gjysmën e dytë të vitit 1999 në PRISHTINË me iniciativën e THAÇI-t. THAÇI dhe (ish-udhëheqësi dhe kryeministri i UÇK-së Ramush) HARADINAJ, ndër të tjera, e përdorën atë për të rekrutuar kandidatë të përshtatshëm për shërbimin policor të Kosovës dhe TMK (Trupat Mbrojtëse të Kosovës, një forcë e reagimit emergjent e përbërë kryesisht nga ish-ushtarë të UÇK-së). Në realitet, shërbimi është i përfshirë kryesisht në aktivitete spiunazhi, frikësimi dhe eliminimi fizik i forcave demokratike”, citon GlobalPost, raportin gjerman.
PDK-ja nuk është distancuar nga vrasjet politike
Pra, PDK-së do t’i duhet goxha kohë për t’u spastruar nga e kaluara e tyre shumë e dyshimtë, e përfshirjes në krim të organizuar, në vrasje, në SHIK, në bashkëpunim me organizata islamike etj.
Por, ajo deri më sot nuk është distancuar as nga vrasjet politike, duke heshtur për to, dhe duke i shtypur këto të vërteta absolute, për çka edhe dy ish-kryetar të saj, po gjykohen në gjykatën speciale. Kërkimfalja e saj, është vetëm një hap i vogël për pajtimin dhe arritjen e paqes ndërshqiptarë, që duhet të ndodhë.
Është e habitshme se si kjo parti pat evoluar aq shumë në raport me serbët, sa jo vetëm që nuk e kishte problem bashkëpunimin dhe bashkëveprimin me të, por më keq akoma i përkrahte qëndrimet e Hashim Thaçit, njëherë si kryeministër dhe më pas si president, që të bëhej amnistia e krimeve serbe!
Ndërkohë, që kishte ekzekutuar me qindra shqiptarë, madje disa nga më patriotët e kombit, duke proklamuar deri në ulërimë, se ata (Shtabi Rognerit, SHIK-u, e krerët e PDK) janë patriotët e vetëm, se ata janë të sakrifikuarit e vetëm, se lufta e të tjerëve është një gënjeshtër, se përpjekja politike e të tjerëve është mashtrim etj., ata ndërtuan relacione të jashtëzakonshme me serbët, aq sa inteligjenca amerikane i kualifikoi si banda të përbashkëta kriminale.
Përtej kësaj ndodhie habia kryesore është se si inteligjenca shqiptare, i pranoi këto sjellje, asnjëherë thuaja nuk iu kundërvu, dhe asnjëherë nuk i denoncoi publikisht, se ishin si bashkëpunimi me ojq islamike, rrezik për identitetin shqiptar!