Meta: Të ndodhë sa më parë liberalizimi i vizave për Kosovën

Aktuale

Meta: Të ndodhë sa më parë liberalizimi i vizave për Kosovën

Më: 23 korrik 2022 Në ora: 10:26
Ilir Meta

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri, që duhet të ndodhë sa më parë.

Duke njoftuar për takimin me Kryeparlamentarin Glauk Konjufca, Meta ka thënë se Shqipëria duhet të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë.

Postimi i tij i plotë:

 Një takim vëllazëror në Prishtinë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Kënaqësi të ndaja vlerësimet për përparimin e gjithëanshëm të Kosovës, që gjithmonë e më shumë po konsolidohet si faktor paqeje, sigurie, stabiliteti, demokratizimi dhe europianizmi në rajon.

Kosova ka hedhur themele të forta e të qëndrueshme të shtetndërtimit, duke përqafuar vlerat dhe parimet më të larta demokratike, respektin për liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, mbrojtjen më sipërore të pakicave, e përkushtuar për funksionimin e demokracisë parlamentare, që respekton parimet e kontrollit dhe balancës së pushteteve, që synon sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Shqipëria duhet të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë, në veçanti se si llogaridhënia qeverisëse sigurohet përmes institucionit më jetik të demokracisë përfaqësuese, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Me rëndësi për forcimin e gjithëanshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve tona, konkretizimi me nisma ligjore të marrëveshjeve ndërqeveritare.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri, që duhet të ndodhë sa më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat