Agjenti i SHIK-ut dhe UDB-së, Fatmir Sheholli ishte i veshur me paramilitarët serbë në luftë / ‘Na shiste miellin e vjedhur në shtëpitë tona”

Aktuale

Agjenti i SHIK-ut dhe UDB-së, Fatmir Sheholli ishte i veshur me paramilitarët serbë në luftë / ‘Na shiste miellin e vjedhur në shtëpitë tona”

Nga: Idriz Morina Më: 23 korrik 2022 Në ora: 18:52
Agjenti Fatmir Sheholli

Çfarë informacione më shumë mund të jepte, ish-agjenti i UDB-së, Fatmir Sheholli, i cili në një deklarim publik televiziv hapi një rrugë argumentimesh, se si ata që kanë kryer vrasje politike në Kosovë në emër të patriotizmit kanë bashkëpunuar dhe kanë pasur në struktura agjent të UDB-së.

Ai deklaroi se shef në Shërbimin Informativ të Kosovës i konsideruar nga inteligjenca e KFOR-it, si shërbim kriminal e banditesk, e ka pasur kreun e atij shërbimi, Kadri Veselin.

“Pas lufte kam punuar për Shërbimin Informativ të Kosovës dhe shef i im ka qenë Kadri Veseli, me mburrje e them këtë sepse e kam thënë kontributin në këto sfera. Bashkëpunëtorë kryesor i kam pasur Elmi Reçicën dhe Latif Gashin”, ka vijuar rrëfimin Sheholli.

Pra, ai e kishte zbuluar një anë të errët, që prej vitesh zihej në gojë, por edhe argumentohej nga dëshmitarë dhe nga shërbimet e huaja në Kosovë, kryesisht ato të KFOR-it, ai amerikane edhe gjermane.

Në mbështetje të UDB-së dhe strukturave okupuese

Por, nuk është i vetëm imazhi negativ i tij që ka punuar në UDB. Familja e tij shquhej për urrejtje ndaj shqiptarëve, dhe një besnikëri ndaj serbëve dhe shtetit serb, deri në kufijtë ekstrem.

Babai i tij, ishte në strukturat e Partisë Socialiste të Serbisë - SPS, të cilën e udhëhiqte Millosheviçi, dhe thuajse nuk kishte fare raste në Kosovë, kur shqiptarët e merrnin guximin jo vetëm të dilnin kundër kërkesave të shqiptarëve për liri e pavarësi dhe organizimit të “Shtetit paralel”, por si babi i tij, Maliq Sheholli, dilnin publikisht dhe kryesonin detyra publike në shërbim të okupatorit, Serbisë.

Serbia më 23 mars 1989, me okupim klasik me tanke, blinda, helikopterë, kërcënime dhe trysni, e suprimoi autonominë e Kosovës, të fituar me Kushtetutën e vitit 1974.

Lëvizja e protestave masive të shqiptarëve të udhëhequra nga inteligjenca atdhetare shqiptare çoi në krijimin e LDK-së, me 23 dhjetor 1989, duke i dhënë fund tek shqiptarët ish partisë komuniste, Lidhjes Socialiste të Kosovës dhe organizimeve të tjera rreth saj.

Shqiptarët në vitin pasues me 2 Korrik 1990 do ta shpallnin Republikën e Kosovës dhe me 7 Shtator 1990 do ta miratonin Kushtetutën e Republikës së Kosovës, mbi të cilën bazë do të mbahej Referendumi për Pavarësi i vitit 1991, dhe me 1992 zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, duke krijuar institucionet dhe organizimin e “Shtetit paralel”, Presidencën, Kuvendin dhe Qeverinë.

Të gjitha këto hapa dhe institucione qenë krijuar në bashkëpunim dhe mbështetje të ngushtë me SHBA-të. Ajo periudhë krijoi liderin e pakontestueshëm historik presidentin Ibrahim Rugova, si njeriun e Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës!

Po ashtu këto institucione kishin organizuar arsimin, shëndetësinë, financimin paralel, ndërsa Serbia i kishte mbyllur shkollat e mesme, Universitetin e Prishtinës, kishte dëbuar masivisht mjekët nga puna, nga fabrikat, kompanitë kolektive, si RTP-ja, Posta, KEK-u, hekurudhat etj., nga kudo që shqiptarët nuk i pranonin “Masat e dhunshme”, që regjimi okupues i Serbisë i vendoste.

Vetë Fatmir Sheholli do të bëhej kryeredaktor në RTP, pavarësisht që nuk kishte formim profesional, por për shkak të besueshmërisë së sistemit okupues.

Kështu në ato vitet okupimi, nëna e tij, do të deklaronte në televizion se “shqiptarëve, që nuk e duan Jugosllavinë duhet t’ia këpusin kryt si pulës”. Një deklaratë që në zonën e Llapit nuk është harruar ende.

“Po e di si sot. Kurrë se harroj. Në tv e ka thanë atë deklaratë nana e atij, Fatmirit. Atëherë RTP-ja ka qenë në masa të dhunshme”, e kujton një qytetar i asaj ane atë deklaratë.

Sipas tij, kjo mund të argumentohet duke kërkuar në arkivave RTK-së, përkatësisht të ish RTP-së.

“Me i pas këta arkivat në RTP e gjejnë. Viti ’92 apo ’93 diku ka qenë”, thotë ai.

I frikshëm dhe manipulues

Por, më keq akoma, ai e kujton se sa i frikshëm dhe manipulues ishte gjatë luftës Sheholli.

“Ky na e vidhte miellin nëpër shtëpitë e braktisura dhe na e shiste me paramilitar në fshatin Sfeçël të Podujevës”, thotë ky qytetar.

Për të argumentuar se si dukej aso kohe, Sheholli, ai e kujton se mbante një shami në kokë, që ishte shenjë dalluese e paramilitarëve të forcave okupuese serbe, të cilët besohet se i kanë kryer krimet më të mëdha dhe më të vrazhda në Kosovë, por edhe në luftrat në Kroaci e në Bosnje.

“Me shami ka qenë ky me paramilitar”, thotë ai.

Ai është i habitur se si, një njeri si ai mund të ketë qenë pjesë e SHIK-ut, ndërsa dihet e kaluara e tij, se ka punuar me institucionet e okupuara nga Serbia.

“Ky veç me serb ka punue, e tash këta të SHIK-ut e kanë bërë patriot se dreqi e din ku e ka kryet ky”, thotë ai.

Ai beson, se Sheholli nuk është thjesht ashtu siç paraqitet sot, përkundrazi ai mendon se është një i trajnuar nga shërbimi i sigurimit serb për të punuar në kundërzbulim.

“Ky duhet të jetë në mesin e disa dhjetëra njerëzve të trajnuar nga UDB-ja që punojnë si kundër informues”, thotë ky qytetar që ka pasur rastin ta mbajë mend nga sjelljet e tij në luftë.

Në rrëfimin e tij, ai e sjellë në mbamendje si një njeri me pamje të frikshme, aq sa askush nuk guxonte ta shikonte në sy. Dhe ashtu ‘mbante rend’ dhe ua shiste mallin e tyre shqiptarëve, që ia kishin vjedhur më parë nëpër shtëpitë, që i kishin detyruar t’i braktisnin.

Babai në strukturat e PSS-it (SPS) të Millosheviçit

“S’ka guxue kush me e këqyr në sy. Mbajke ren, me shit sene të vjedhura, a neve na thojke si shpëtimtar, unë ua pruna miellin”, thotë ai.

Në vitin 1997 babai i tij, Maliq Sheholli ishte ekzekutuar në pikë të ditës publikisht nga Zahir Pajaziti, por Fatmir Sheholli kërkon llogari nga UÇK-ja.

Rasti i vrasjes së babait të tij, është një prej rasteve të të ekzekutuarve për shkak të bashkëpunimit të hapur me regjimin okupues serb, që trajtohet nga gjykata speciale.

Gjykata speciale, me aq sa mund të kuptohet deri më sot, numrin më të madh të rasteve, nëse do të ndaheshin në grupe, duket se do ta ketë me vrasjen e kundërshtarëve politik nga të akuzuarit.

Gjykata speciale në një nga listat e shtuara të provave me të vrarë, në një listë të tretë me 16 të vrarë në faqet 28 dhe 29 të dosjes, thekson se sipas prokurorëve motivi i vrasjes, është se ata konsideroheshin tradhtarë dhe bashkëpunëtorë.

Personat në këtë listë të tretë, ishin identifikuar nga UÇK si spiunë dhe bashkëpunëtor të Serbisë, njëri prej tyre për aktivitet të rrezikshëm antikombëtar.

“Mes të vrarëve në këtë listë edhe nënkryetari shqiptarë i Partisë Socialiste të Serbisë, Maliq Sheholli”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat