Pak ditë më parë një lajm jehoi paksa pozitiv, pavarësisht se si do të përfundojë dhe kush janë fajtorët, por pretendimi është se zyrtarë shtetëror në mënyrë arbitrare ndryshuan ose shkelën rregullat (e lojës) ligjore.
Objekt i një kallëzimi penal janë Fatos Osmani, këshilltar politik në kabinetin e Ministres së Arsimit Arbërie Nagavci dhe Feime Llapashtica, udhëheqëse për planprograme në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT).
Që të dy dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar duke tejkaluar kompetencat, Osmani në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore (KEPTSH), në MASHT dhe Feime Llapashtica në cilësinë e anëtares.
Sjellja arbitrare si normë
Pa e ditur të gjithë historinë, e cila nuk përshkruhet në media, por më shumë i jepet jehonë vetë padisë, raportimet e shumta, ankesat shumëfish më të mëdha për administratën, burokracinë, zyrtarët e shtetit, argumentojnë se sistemi ynë administrativ, kur ia shoqëron edhe mosveprimin e sistemit të drejtësisë në kohë, ose kurrë fare, e rëndon jetën e qytetarëve maksimalisht, dhe i bën shumë prej tyre të mos e duan, dhe madje edhe ta urrejnë atdheun e tyre. Për pasojë jo pak veta ikin jashtë. Ata humbin vende pune, nuk arrijnë shkollimin e duhur apo në kohë, humbin mirëqenien, dhe pësojnë dështime në jetë.
Sjelljet e tilla, sipas akuzës dhe modelit që po e shqyrtojmë, ishin tipike për komandantët e luftës, të cilët përveç se ishin të komprometuar në shumë veprime, ata ligjin e zbatonin vetëm sipas vullnetit të tyre. Në fakt akoma më keq, drejtësia, nuk e zbatonte ligjin kundrejt tyre. Një nga rastet më flagrante deri në një ngjarje të dhunshme të para disa jave, kur së bashku me vëllezër Nuredin Lushtaku, ish-deputet, nënkryetar komune etj, e plagosën një polic dhe një tjetër e rrahën rëndë. Drejtësia fillimisht hezitoi, por nën trysninë e opinionit publik, të nesërmen e arrestoi N. Lushtakun.
Fatkeqësisht një numër komandantësh, që hynë edhe në politikë, si Thaçi, Veseli, Lushtaku, Syla, Haliti, sjelljen arbitrare e bën model të sjelljes qytetare, e bashkë me të edhe ndihmuan në vendosjen e modelit të injorancës, duke përmbysur kështu rendin e vlerave.
Por, ky model i sjelljes arbitrare duke e kundërshtuar zbatimin e ligjit ndodhë, edhe si në rastin e cituar sipër, siç pretendohet, por edhe në raste të tjera. Madje, edhe vetë ministrja e ka kryer një vepër të tillë vite më parë, me vendim arbitrar, në kundërshtim të plotë më vendimin e lëshuar nga vetë ajo në komunë.
Modelet e tilla të sjelljes, të abuzimit flagrant, që janë edhe vepra penale, e që në shumë raste palët përtojnë ose nuk hapin raste se nuk e njohin ligjin, kanë çuar në një abuzim ekstrem, të cilat raste institucionet e reja duhet t’i ndëshkojnë keqbërësit në procedurë administrative, dhe në rast nevoje t’i denoncojnë vetë para drejtësisë.
Në disa raste, vendimet dhe sjelljet arbitrare mjekësore kanë çuar në vdekje, gjymtime, në dëmtim të përhershëm dhe të përkohshëm të shëndetit, në humbje të shtatzënive, fëmijëve të ardhshëm, por edhe kur janë denoncuar shteti – prokuroria nuk ka ndërhyrë, apo edhe kur kanë përfunduar në gjykatë, edhe ajo i ka devijuar.
Pandëshkueshmëria si normë!
Kështu që fenomeni i pandëshkueshmërisë për keqbërësit, është kthyer në normë. Këto deformime në administratë, prokurori, gjyqësi, e kanë lodhur shpirtin shqiptare, e kanë thyer shpresën, dhe fragmentuar vullnetin për jetë.
Kanë ndryshuar madje edhe gjykimet për studimet që duhet t’i ndjekin ose të mos i ndjekin fare, të rinjtë. Pandëshkueshmëria e ka krijuar bindjen se ligjin e bën i forti, dhe që të jeshë i fortë, mjafton sot edhe të kesh shumë para, kështu që e ka gjeneruar idenë e pasurimit, duke i dhënë dhjetëra apo qindra kuptime që nuk i kishte më parë, ose që nuk e gëzonte besimin.
Shpërdorimi i detyrave zyrtare, nuk dallon sot në ndonjë nivel, nga ai niveli më i ulët administrativ e shkon deri tek ai akademik, ku p.sh. në mënyrë flagrante e fiton një konkurs për të ligjëruar më parë ai apo ajo që nuk i përmbush kushtet se sa ai apo ajo, që i ka përmbushur.
Moszbatimi arbitrar i vendimeve nuk merrë fund askund, si në kompani publike apo në institucione shtetërore e shëndetësore, deri tek ata që kujdesen apo duhet të kujdesen për shëndetin mendor, por përpiqen t’ua thyejnë karakterin dhe shpirtin, ndërsa i tërë zinxhiri shtetëror hesht, pavarësisht ankesave, në çdo shkallë dhe në çdo kohë.
Pra, ky arbitraritet nuk ka filluar të luftohet, rastet pozitive janë spontane, dhe nuk sigurojnë ndryshimin e rrjedhës së ngjarjeve, nga paligjshmëria tek e ligjshmja.