Serbia nëse do, zjarr do të gjejë, duke ndjekur ëndrrën “bota serbe” / Pas Moskës, Beogradi në radhë

Aktuale

Serbia nëse do, zjarr do të gjejë, duke ndjekur ëndrrën “bota serbe” / Pas Moskës, Beogradi në radhë

Nga: Idriz Morina Më: 16 gusht 2022 Në ora: 22:03
Trupat amerikane

A po mashtron Kosova, kur po reagon ndaj Serbisë, duke e paraqitur si luftënxitëse? Nuk ka mbetur ndonjë mënyrë parashtrimi tjetër, për të gjetur ‘të vërtetën’ e përhershme, se kush ka të drejtë, meqë shumë shqiptarë, ka vite, që të menduarit shqip e kanë fshirë.

Meqenëse e kanë humbur këtë komunikim të tyre të koduar, do të thoshim, atëherë është e vështirë, të argumentosh për të arritur tek një përfundim i pranuar, jo për ta bërë të padiskutueshëm, por të paktën, të çliruar nga dyshimet e pakuptimta.

Ta shqyrtojmë pak situatën në raport me atë që po shkruajnë mediat e huaja, dhe për më tepër për raportimet se flota ruse ushtarake, po provokon jo vetëm flotën amerikane, por edhe reagimin ushtarak të shumë vendeve të tjera, në Adriatik dhe Jon!

Image
Anija e frikshme amerikane Harry S. Truman

Zhdavaritur nga lufta

Për ata që ëndërronin se luftërat kanë mbaruar, tashmë ato janë zhdavaritur nga lufta – pushtimi rus në Ukrainë.

Ndërsa, për ata që flisnin se nuk ekziston madje asnjë rrezik edhe në veri, se lëre më diku tjetër në fqinjësi apo afërsi, flota ruse, ua ka dhënë një përgjigje të papritur.

Në fakt, ngjarja ka tashmë ka disa javë që ka ndodhur, dhe ajo ka të bëjë me një provokim të hapur rus në det, kur flota ruse kishte hyrë si kurrë më parë në detin Adriatik, ndoshta prej kur Shqipëria e kishte braktisur paktin e Varshavës.

Ky nuk është një shqetësim i thjeshtë. Edhe konfliktet dhe luftërat ndjekin atë mësimin popullor, nëse kërkon bela, bela do të gjesh! Por, si thonë shpesh në zhargon, lëre Zotin t’ia thyejë qafën!

Sigurisht se ne nuk përbëjmë problem serioz aktualisht për projektet ruse!

Rusia, e mbështetur nga Kina, meqë ndodhet në një situatë të paaftësisë për ta fituar luftën në Ukrainë, është e gatshme ta thellojë konfliktin dhe krizën në botë, përkatësisht për ta përfshirë një pjesë sa më të madhe të globit, për aq sa mundet, në luftë të drejtpërdrejt, diku luftë speciale, e diku duke u ndalur vetëm tek ajo ekonomike.

Rusia, nga një fuqi, që thuajse në mënyrë absolute vendet e Perëndimit, përjashto SHBA-në dhe ndonjë aleat të fuqishëm të saj, i trembeshin asaj nga çdo kërcënim bërthamor, tashmë po shikohet edhe me përbuzje.

Përveç se ka dështuar në pushtimin e plotë të Ukrainës, ajo po dështon edhe në Krime, rajon të cilin e ka pushtuar që në 2014. Atje ushtria ukrainase po kryen sulme të suksesshme, dhe ushtria ruse thuajse ndodhet në panikë.

Ndoshta i është afruar fazës kur Rusia e drejtuar nga regjimi autoritar, do të provojë ta fshehë dhe lajë turpin me përdorimin edhe të bombave minimalisht të vogla bërthamore.

Padurimi i Perëndimit me sisteme të tilla të kalbura duket se e ka prekur kupën, andaj kërkon që t’i jap fund, rrezikut dhe kërcënimeve me armë bërthamore, para se ta paqtojë botën nga ky rrezik i përhershëm, i krijuar nga gara bërthamore ndërmjet shteteve të fuqishme.

Sipas gazetës italiane “La Repubblica”, flota ruse shpesh kishte provokuar duke prekur ujërat e krahinës arbëreshe të Italisë, Kalabrisë, por kurrë nuk kishte ndodhur që të ushtronte “manovra bllokuese”, të cilat e kishin qëllimin e pengimit, përkatësisht të kufizimit të lëvizjeve të aeroplanmbajtëses amerikane “Truman”, që përfaqëson fuqinë kryesore të lëvizshme të NATO-s në Detin Mesdhe.

Kjo situatë me gjasë e kishte shtyrë, që “Grupi i Dytë Detar i Përhershëm” me anije luftarake dhe fregata amerikane, italiane, spanjolle, turke dhe greke, të grumbulluara në detin Jon, të formonin një katrorë mbrojtës për rreth aeroplanmbajtëses “Truman”, sipas “La Republica”.

Image
Lufta ukrainase e mbështetur nga armatimi perëndimor, ndërsa presidenti Zelenski e inspekton

Zjarrvënien do ta paguajë

A nuk të fusin drithërimën këto sjellje ruse në Adriatik, Jon dhe në pellgun e Mesdheut!?

Nëse rusët nuk duan luftë në këtë mënyrë, çfarë po kërkojnë ata, thjesht rritje të shpenzimeve? Sigurisht se kjo e fundit as që mund të vie në shprehje, sepse lufta përveç se po i kushton tepër shtrenjtë ekonomisë ruse, asaj po i shkatërrohet thuajse i gjithë armatimi konvencional. Ushtarakët perëndimorë, tashmë ka disa muaj që vlerësonin se nga lufta në Ukrainë, Rusia ka humbur një të tretën e armatimit konvencional të përdorshëm!

Pra, ajo po kërkon aleat për të zgjeruar hartën e konflikteve, në tokë dhe në deti. Ajo sa i përket mundësisë së konfliktit në Moldavi mund ta bëjë kurdo që dëshiron, vetëm se varet nga objektivat që i synon, pasi në krahinën e Transnistrisë ajo e ka ushtrinë e vet prej vitesh.

Po ashtu edhe në Gjeorgji këtë mund ta bëjë kurdo, pasi edhe aty prej kohësh ka krijuar në kufi të saj dy republika të pavarura, që kur trupat ruse Putini i lëshoi drejt këtij shteti të vogël dhe të brishtë, duke ia shkëputur.

Atëherë, rezulton se një vatër më e përshtatshme konflikti se në Ballkanin Perëndimor, sidomos duke ndjekur ëndrrën serbe, për “botën serbe”, të ushqyer edhe nga iluzioni, por edhe ndihma e drejtpërdrejt e Rusisë, duket një terren i përshtatshëm pasi ka dy vatra të ndjeshme, si Republika Serbe në Bosnje dhe Kosova, duke e cilësuar këtë si të cenueshme lehtë nga ushtria serbe.

Kur kësaj ia shton edhe retorikën e vazhdueshme të luftës të përdorur nga Serbia, që me zjarrvënien e pikave kufitare ditën e parë të Pavarësisë së Kosovës, atëherë situata bëhet alarmante vërtetë!

Prandaj, Serbia nëse do zjarr do të gjejë, sikurse Rusia në Ukrainë! Fitorja kësaj here do të jetë e plotë në anën tonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat