Mbrojti “Ballkanin e Hapur”, Bytyçi i reagon Begajt: Synon zhbërjen e tri shteteve, hesht nëse s’je i informuar!

Aktuale

Mbrojti “Ballkanin e Hapur”, Bytyçi i reagon Begajt: Synon zhbërjen e tri shteteve, hesht nëse s’je i informuar!

Nga: A.ZH Më: 17 gusht 2022 Në ora: 09:11
Bajram Begaj

Profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, i ka reaguar presidentit të Shqipërisë Bajram Begaj, pas deklaratës së tij për nismën “Ballkani i Hapur”.

Begaj mbrëmë mospjesëmarrjen e Kosovës në këtë iniciativë e konsideroi "diversitet" mendimesh e qëndrimesh.

Por, sipas analistit politik, presidenti Begaj nuk është i informuar se janë qindra fakte që “Ballkani i Hapur” synon zhbërjen e Kosovës, të Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, përcjell Bota sot.

Këtë sipas tij, e ka pohuar edhe presidenti malazez Milo Gjukanoviq.

Reagimi i Bytyçit në Facebook:

Mbrëmë presidenti Begaj dha një intervistë për TV e Kosovës. Në këtë intervistë ai mbrojti idenë e Ballkanit të Hapur dhe mospjesëmarrjen e Kosovës e konsideroi "diversitet" mendimesh e qëndrimesh!

O president, ju lutem sinqerisht, nëse nuk je i informuar në thelbin e gjësë, hesht! Se Ballkani i Hapur është instrument anti-Kosovë, kjo dihet. Janë dhënë qindra fakte e argumente. Se Ballkani i Hapur synon zhbërjen e Kosovës si shtet i pavarur, edhe kjo është e provuar. Sepse nuk ka asnjë dokument me të cilin kjo iniciativë mbron sovranitetin e vendeve anëtare! Nuk ka mekanizëm vetoje, siç kanë të gjitha asociacionet e vlerave perëndimore! Sepse.... ka një mijë sepse!

Presidenti i Malit të Zi thoshte para dy javësh se "Open Balkan” synon zhbërjen e tri shteteve, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës! Dhe duhet ta dish se Gjukanoviq di shumë më tepër se ju dhe kryeministri Rama të marrë së bashku! E ka vuajtur dhe e vuan nën lëkurë politikën agresive nacionaliste të Serbisë.

Prandaj, qëndrimet ndaj Ballkanit të Hapur nuk janë diverse. Janë kundërshtuese dhe kundërshtia është jetike për ekzistencën e shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia për fajin e Serbisë. Prandaj dhe Serbia ka gjetur mekanizmin e Open Balkan për të rikthyer Jugosllavinë e Re, duke suprimuar shtetësinë dhe pavarësinë e vendeve të tjera të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat